Sport

Katër gjyqtarë të Kosovës në FIFA

Genc Nuza, Bujar Selimaj, Fatlum Berisha e Lumturie Muhadri priten të jenë gjyqtarët e parë ndërkombëtarë nga Kosova

Futbolli kosovar ka marrë një lajm tjetër pozitiv nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), shkruan albinfo.ch.

FIFA ia ka konfirmuar Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) se katër gjyqtarë nga Kosova janë përfshirë në listat për t’iu nënshtruar testimeve dhe për të ndjekur seminaret, në mënyrë që të jenë të gatshëm për edicionin e ardhshëm.

Genc Nuza, Bujar Selimaj, Fatlum Berisha e Lumturie Muhadri priten të jenë gjyqtarët e parë ndërkombëtarë nga Kosova, pas luftës. Ata do të marrin gradën fillestare, nëse kalojnë testet.

Duke nisur që prej sezonit 2017-2018, gjyqtarët kosovarë do të përfshihen në listën e FIFA-s për të drejtuar ndeshjet në kompeticionet evropiane.

Ata do të drejtojnë ndeshjet e nivelit paraeliminator në kupat e Evropës.