Lajme

Partitë kontestojnë përqindjet dhe pretendojnë më shumë vota

Gashi i LDK-së ka thënë se LDK vazhdon të jetë subjekti numër 1 në zgjedhjet e sotme parlamentare

  

 (Update 22.30) 

 

(Update 17:30)

Kryetarja e Komisionet Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në konferencën e tretë me radhë të ditës, pas orës 17:00, ka bërë të ditur se deri në orën 15 e 30, kanë votuar rreth 34.10 % të qytetarëve me të drejtë vote. Ajo ka publikuar të dhënat rreth përqindjes së daljes së votuesve për secilën komunë të Kosovës.

Për shkaqe sigurie, vendvotimet në veri të vendit janë mbyllur në orën 16:00, ka njoftuar kryetarja e Komisionet Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

(Update 15.30)

Procesi zgjedhor në përgjithësi po rrjedh mirë, me disa incidente të vogla sporadike, vlerësojnë drejtues të “Demokracisë në Veprim”, njoftojnë mediat në Kosovë.Deri në 12:00, sipas të dhënave të kësaj organizate, kanë dalë 15.3 për qind e votuesve të regjistruar.Janë regjistruar përleshje fizike mes simpatizantëve të “Vetëvendosjes” dhe PDK-së në Malishevë. Në Zveçan ekipi mobil i KQZ-së e ka mbyllur procesin, ngase persona të panjohur e kanë penguar punën dhe nuk kanë mundësuar votimin. Edhe në fshatin Balac të kësaj komune është pamundësia votimi.

Vëzhgues të “Demokracisë në Veprim” kanë raportuar edhe për një rast në Komaran të Drenasit kur një person ka votuar dy herë. Në një vendvotim në Ferizaj një person ka marrë dy fletëvotime pa u penguar nga komisioni. Në një vendvotim në Mitrovicë një person i ka marrë pa u penguar nga askush dy fletëvotime të pavulosura dhe ka votuar në emër të një personi tjetër.

Është vërejtur edhe prani e shumtë e personave të paautorizuar nëpër vendvotime që bëjnë agjitime në Gjakovë, Ferizaj, Shtime dhe Kaçanik

Drejtues të “Demokracisë në Veprim” janë ankuar në presione që iu bëhet vëzhguesve në disa vendvotime, ndërsa nga ky koalicion i organizatave joqeveritare u bëhet thirrje organeve përkatëse që të sigurojnë ambient të përshtatshëm të vëzhgimin të zgjedhjeve.

Paraqitjen e ardhshme për media, “Demokracia në Veprim” e ka paralajmëruar për në orën 18:00

Arrestohen dy serbët që penguan procesin e zgjedhjeve

(Update 15.15)

Policia i ka konfirmuar incidentet në zonën e Zubin Potokut dhe Zveçanit, ku janë hedhur mjeteve piroteknike. Kas pasur kundërreagim mjaft efikas të policisë dhe janë identifikuar dy persona të nacionalitetit serb, të cilët janë arrestuar dhe tashmë ndodhen në stacionin policor në Zveçan për të proceduar më tutje me rastin.

“Situata është e qetë, ndërsa për të po përkujdesen 930 pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicë, Besim Hoti për RTK-në.

Sipas Hotit, Policia e Kosovës nuk merr vendim për largimin e pikave mobile, ngase vendimi mbetet në organizatorët e procesit.

Situata e krijuar në këto vendbanime, sipas zyrtarëve policorë, nuk ka elemente që do ta përshkallëzonin situatën e sigurisë. Situata në Mitrovicë, përfshirë pjesën veriore të qytetit, është qetësuar dhe nën kontrollin e mekanizmave të sigurisë.

Sulmohen vendvotimet në Zubin Potok

(Update 14.40)

Disa serbë të rajonit të rajonit të Zubin Potokut nuk lejuan që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në ketë pjesë të Kosovë. Ata kanë kërcënuar ekipet lëvizëse të votimit që nëse nuk tërhiqen menjëherë, do të sulmohen me armë zjarri.

Me mjete piroteknike janë sulmuar qendrat lëvizëse të votimit në Banovdo dhe Jashevik, ndërsa në fshatin Serbovac serbët lokalë nuk kanë lejuar të mbahen zgjedhjet, raporton Telegrafi, duke cituar RTV21.

Në këtë fshat janë tubuar rreth 30 persona të komunitetit serb në mënyrë që të pengojnë qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve. Nuk raportohet nëse policia deri më tani ka intervenuar në këto sulme dhe kërcënime të zyrtarëve të komisionit lokal zgjedhor.

Votojnë Mbi 11 për qind të trupit elektoral

(Update 13. 50)

Kryetarja e Komisionet Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka në konferencën e radhës ka bërë të ditur se deri në orën 11 e 30, kanë votuar rreth 11.11 % të qytetarëve me të drejtë vote, njofton indeksonline.net. Në konferencë janë dhënë detaje për secilën komunë të Kosovës.

Kryetarja Daka ka minimizuar  disa  incidente të raportuara nga mediet, pasi sipas saj, ato nuk mund të ndikojnë në procesin e përgjithshëm zgjedhor. Sa i përket problemit të llambave Daka tha se edhe ky problem është zgjidhur,  pasi KQZ-ja ka poseduar llamba tjera rezervë që KON zëvendësuar ato me defekte.

Daka u shpreh e kënaqur edhe me votime në e serbëve të veriut pavarësisht numrit të vogël. Ajo po ashtu e vlerësoi si pozitiv edhe numrin e  përgjithëshëm të daljes së qytetarëve në zgjedhje  duke pasur parasysh motin e ftohtë qe po mbretëron.

“Gani Bobi” paraqitet me Exit-Poll me përfundimin e zgjedhjeve(update 13.30)

Qendra për Studime Humanistike “Gani Bobi” organizon për herë të parë në Kosovë, Exit Poll-in, parashikimin e rezultatit të zgjedhjeve, menjëherë pasi që KQZ-ja të shpall se procesi i votimit është kryer, njofton rtklive.com

Në një njoftim për media thuhet se Ekipi i qendrës Gani Bobi do të jetë i gatshëm për të publikuar parashikimin në ora 19:00, nëse deri atëherë kryhet procesi i votimit. Do të pritet vetëm vendimi i KQZ-së mbi mbylljen e votimeve, dhe menjëherë do të fillojë konferenca për shtyp.

Kryetari i Shtërpces përfshihet në përleshje(update: 12.45)

Regjistrohet një incident në procesin zgjedhor që po zhvillohet në Kosovë. Incidenti ka ndodhur në fshatin Biticë në komunën e Shtërpcës, ku kryetari i komunës Bratisllav Nikoliq ka sulmuar fizikisht kreun e Komisionit Zgjedhor.

Incidenti është konfirmuar edhe nga policia e Kosovës, por nuk janë dhënë detaje të mëtejshme, raporton Top Channel.

Ndërkohë sipas njoftimeve të fundit procesi i votimit vijon normalisht në pjesën më të madhe të Kosovës, ndërkohë që priten edhe njoftimet e para për pjesëmarrjen e votuesve deri në mesditë.

Kanë filluar mbarë zgjedhjet në Kosovë

Kanë filluar sot në kohën e paralajmëruar, zgjedhjet për Parlantin e Kosovës. Në orët e para të mëngjesit, përveç ndonjë parregullsie të vogël teknike, procesi ka shkuar mbarë.

Siç ka bërë të ditur Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka në konferencën e parë të shtypit, kutitë e votimit janë hapur po thuajse në të gjitha qendrat e votimit në tërë Kosovën dhe qytetarët, deri më tash po votojnë në numër të kënaqshëm.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 7 të mëngjesit, me përjashtimtë atyre në veri, që janë hapur në orën 9,  pasi që në këtë pjesë ka edhe qendra lëvizëse.

Daka ka njoftuar mediet po ashtu se në veriun e Kosovës janë të angazhuar edhe 51 vëzhgues amerikanë të organizatës IFS. Ajo ka thënë se nuk ka informacione për ndonjë incident nëpër qendrat e votimit dhe procesi sipas saj deri më tash po shkon mirë.

Ndërkohë, mediet e Kosovës njoftojnë se në qendrat e tyre të votimit në Prishtinë kanë dhënë votën e tyre  edhe  krerët e partive kryesore politike të Kosovës si kryeministri në dorëheqje, dhe kryetar i PDK-së Hashim Thaçi, kryetari i Prishtinës dhe i LDK-së Isa Mustafa, kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe kreu i listës “Ibrahim Rugova”, Ukë Rugova, kryetari i AKR-së Behxhet Pacolli, nënkryetari i AAK-së Blerim Shala dhe kryetari i LDD-së, Nexhat Daci.

Në konferencën për medie të mbajtur nga Komisioni Zgjedhor i LDK-së në orën 22.20, kryetari i komisionit, Arben Gashi ka drejtuar ankesa në adresë të komunave të Sklenderajt dhe të Drenasit, ku sipas KQZ-së kanë marrë pjesë në zgjedhje 94 respektivisht 86%. Ai theksoi se është statistikisht, dhe politikisht e pamundur të arrihet një dalje kaq masive në zgjedhje.

Po kështu z. Gashi ka thënë se edhe me gjithë manipulimet, sipas tij evdidente, LDK vazhdon të jetë subjekti numër 1 në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë.

 

Edhe Fryma e Re është paraqitur me një konferencë shtypi. Ajo ka kontestuar po ashtu rezultatin e daljes në zgjedhje në Skenderaj të 94% të elektoratit. Qëndrim Gashi, duke folur në emër të FER-it ka pretenduar për më shumë vota se sa është thënë në exit pollin e qendrës Gani Bobi.

Rezultatin e publikuar nga Exit Polli e ka kundërshtuar në një konferencë shtypi edhe AKR përmes nënkryetarit të saj Ibrahim Makolli. Sipas tij, AKR duhet të ketë fituar së paku sa dyfishi i asaj që ka shpallur Gani Bobi.