Kosova

Bilibani: Rrëfimet mbi identitetin i “përkthejmë” në gjuhën filmike

Të rinjtë në Re:conmnect duhet të kenë rrëfimin e tyre të cilin do ta “përkthejnë” në film, duke përdorur gjuhën filmike si një hapësirë ku eksplorohet identiteti kulturor

Re:Conect është projekti që mbase identifikohet më së shumti me thelbin e festivalit KinoKosova që u mbajt gjatë javës që shkoi në Bernë. Ai, duke aktivizuar dhe nxitur të rinjtë e  brezit të dytë në migracion, i aftëson ata që rrëfimet e tyre mbi migracionin dhe identitetin t`i rrëfejnë me gjuhën e filmit. Në këtë mënyrë ato, siç e thotë dhe emri i projektit “rilidhen” me kulturën e tyre të prejardhjes.

Projekti është zhvilluar në kuadrin e festivalit Dokufest në Prizren dhe është një financim i fondacionit Movetia dhe Ambasadsës së Zvicrës në Kosovë.

Siç e thotë për albinfo.ch Eroll Bilibani, producent i njohur si dhe një nga mentorët dhe menaxherët kryesorë të Re:Connect, projekti ka për qëllim të mbështesë të rinjtë, kryesisht shqiptarë nga Zvicra në përpjekjet e tyre për të hulumtuar tema rreth identitetit të tyre. “Targeti ynë nuk është tek filmbërësit apo studentët e filmit por tek të rinjtë tjerë, që zakonisht janë studentë të fushave të tjera, sidomos të sociologjisë, shkencave politike etj.

Rëndësi ka që ata të kenë rrëfimin e tyre të cilin do ta “përkthejnë” në film, pra, duke përdorur filmin si medium, duke pasur në dispozicion një hapësirë ku eksplorohet identiteti kulturor. Në këtë punë ata kanë ndihmesën e profesionistëve të dokufestit, siç u pa në këto dy edicionet e tij, ku u zhvillua dhe projekti, dhe që kanë zgjatur nga dy javë”, thotë Bilibani tutje.

“Dua të theksoj me këtë rast se këta të rinj, pothuaj të vetmet lidhje ose njohje në Kosovë deri më tani i kishin me familjarët, kushërinjtë e tyre atje. Prandaj projekti si i tillë, duke i lidhur mes vete dhe me të rinj nga Kosova ka edhe meritën që t`i integrojë ose socializojë ata në një mënyrë në shoqërinë e sotme kosovare.

Duke dashur që puna me ta të jetë më autentike, kemi angazhuar si mentorë, krahas të tjerëve, edhe disa regjisorë me rrënjë shqiptare që jetojnë dhe krijojnë në Zvicër.

Do të thosha se filmi si medium nuk jep mesazhe as nuk ofron spektakle mediale por më shumë shtron pyetje që ndonjëherë mund të jenë edhe kritike dhe të vështira. Prandaj mund të them se pjesëmarrësit në këto dy edicione të projektit e kanë realizuar në mënyrë të kënaqshme këtë detyrë.

Krahas pjesëtarëve të diasporës sonë në këtë projekt marrin pjesë edhe qytetarë zviceranë, të rinj të interesuar. Ftesa që bëjmë ne u drejtohet edhe atyre, thotë Bilibani. Sigurisht zviceranët qe vijnë kanë njohje me moshatarë të tyre shqiptarë dhe në këtë mënyrë duan të thellojnë njohjen e tyre për identitetin e tyre, duke punuar bashkë në fushë të filmit.

Deri më tani janë prodhuar 11 filma nga dy edicionet e projektit Re:connect. Ata janë shfaqur në dy edicionet përkatëse të dokufestit ndërsa tani presim që me ta të marrim pjesë në festivale të ndryshme ndërkombëtare dhe shpresojmë që nga kjo të dalë një brez interesant i regjisorëve të rinj”, përfundon Eroll Bilibani.