Skip to content

“Uberizimi” i kriminalitetit: Të rinjtë rekrutohen përmes rrjeteve sociale për vjedhje dhe mashtrime

Gjithnjë e më shumë të rinj, përfshirë edhe të mitur, po rekrutohen përmes Snapchat-it dhe TikTok-ut nga rrjetet kriminale në Zvicër për të kryer vjedhje, mashtrime dhe grabitje. Të joshur nga premtimet për fitime të lehta, ata përfundojnë duke rrezikuar lirinë, ndërsa organizatorët e krimit mbeten shpesh të paarritshëm.

Autoritetet zvicerane e kanë cilësuar këtë dukuri si “uberizim të kriminalitetit”, ku rrjetet kriminale rekrutojnë të rinj përmes internetit për të kryer vepra penale në emër të tyre.

Rekrutimi bëhet përmes shpalljeve në rrjetet sociale, ku kandidatëve u premtohen fitime të konsiderueshme për detyra që duken të thjeshta, si vëzhgimi i një rruge, marrja e kartave bankare apo transportimi i parave. Megjithatë, sipas policisë së kantonit Vaud, të rinjtë përfitojnë nga zero deri në 100 franga, ndërkohë që ekspozohen ndaj rreziqeve të mëdha.

Fenomeni është veçanërisht shqetësues në Zvicrën frankofone, ku gjatë tre muajve të fundit janë regjistruar më shumë se dhjetë mashtrime në ditë me persona që shtiren si policë ose punonjës bankash. Vlera e përgjithshme e pasurisë së vjedhur, kryesisht nga të moshuarit, ka kaluar 20 milionë franga gjatë vitit 2026, katër herë më shumë se një vit më parë.

Vetëm në kantonin Vaud, këtë vit janë arrestuar 308 persona në lidhje me këto raste, 85 prej të cilëve autorë lokalë.

Sipas të dhënave të Policisë Federale Zvicerane (Fedpol), që nga viti 2025 janë arrestuar rreth 500 persona, me moshë mesatare rreth 21 vjeç. Disa prej të arrestuarve janë vetëm 14-vjeçarë.

Avokati Jonathan Rutschmann, i specializuar në të drejtën penale për të mitur, paralajmëron se të rinjtë futen gradualisht në rrjetet kriminale dhe më pas përballen me kërcënime ndaj tyre dhe familjeve të tyre nëse tentojnë të largohen.

Pasojat ligjore janë të rënda. Dënimet mund të arrijnë deri në katër vjet burgim, ndërsa organizatorët e rrjeteve kriminale janë shumë më të vështirë për t’u identifikuar dhe arrestuar.

Autoritetet zvicerane kanë shtuar masat e parandalimit dhe hetimit, duke paralajmëruar njëkohësisht për përdorimin e inteligjencës artificiale në krijimin e dokumenteve të rreme policore dhe mashtrimin e qytetarëve.

Policia u bën thirrje qytetarëve të mos japin asnjëherë kode bankare përmes telefonit dhe, në rast dyshimi, të kontaktojnë drejtpërdrejt numrat zyrtarë të bankës ose policisë.