Kompanitë e sigurimeve shëndetësore në Zvicër kanë dallime të konsiderueshme në miratimin e kërkesave për rimbursimin e barnave, përfshirë edhe ato që përdoren për trajtimin e sëmundjeve të rënda si kanceri. Kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt në qasjen e pacientëve në trajtime jetike.
Sipas një hulumtimi të televizionit publik zviceran RTS, bazuar në të dhënat e periudhës 2017–2019, përqindja e kërkesave të miratuara ndryshon ndjeshëm nga një kompani sigurimi te tjetra.
KPT ka miratuar 98 për qind të kërkesave, Assura 96 për qind dhe Groupe Mutuel 94 për qind. Ndërsa CSS ka miratuar 74 për qind, Helsana 67 për qind, Atupri 53 për qind dhe Sanitas vetëm 45 për qind. Mesatarja kombëtare për këtë periudhë ishte 76 për qind.
Të dhënat kanë të bëjnë me kërkesat individuale për rimbursimin e barnave që nuk mbulohen automatikisht nga sigurimi bazë shëndetësor dhe që shqyrtohen rast pas rasti nga kompanitë e sigurimit.
RTS i siguroi këto të dhëna pas një beteje pesëvjeçare ligjore me Zyrën Federale të Shëndetit Publik të Zvicrës (OFSP). Një studim i vitit 2020 kishte evidentuar dallime të mëdha mes siguruesve, por pa i identifikuar kompanitë.
Organizata ombrellë e siguruesve shëndetësorë, prio.swiss, kundërshton krahasimin, duke argumentuar se kompanitë nuk i kanë regjistruar dhe klasifikuar kërkesat sipas metodologjive plotësisht të njëjta.
Ndërkohë, Sanitas pretendon se rezultatet e saj ndikohen nga mënyra e llogaritjes së rasteve kur pacientëve u propozohet një periudhë prove terapeutike, e cila në të dhënat e publikuara është trajtuar si refuzim.
Për të zvogëluar këto dallime, në vitin 2024 Zvicra ndërmori reforma që synojnë harmonizimin e procedurave dhe vlerësimeve të kërkesave. Megjithatë, sipas RTS-së, ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të vërtetuar nëse ndryshimet kanë sjellë rezultate të njëjta në nivel kombëtar.
Vetëm kompania Atupri ka ofruar të dhënat e saj më të fundit, duke raportuar miratimin e 77 për qind të kërkesave në vitin 2024 dhe 81 për qind në vitin 2025.
Onkologë zviceranë thonë se dallimet mes kompanive vazhdojnë të vërehen edhe në praktikën e përditshme. Solange Peters, shefe e Onkologjisë në CHUV dhe presidente e Oncosuisse, deklaron se në spitalin ku punon vazhdojnë të jenë të njëjtat kompani që miratojnë më shpesh kërkesat dhe të njëjtat që i refuzojnë ato.
Një vlerësim i ri i Zyrës Federale të Shëndetit Publik pritet të publikohet në vitin 2027, ndërsa deri atëherë mbetet e paqartë nëse reforma e vitit 2024 ka arritur të sigurojë trajtim më të barabartë për pacientët.