Magjia e tenorit shqiptar Ramë Lahaj ka mbushur sonte me emocione skenën e sallës prestigjioze “Wiener Konzerthaus” në Vjenë, ku artisti kosovar po dhuron momente të paharrueshme për publikun dhe diasporën shqiptare në Austri.
I shoqëruar nga “ARMA Ensemble”, Lahaj është ngjitur në skenën e njërës prej sallave më të njohura koncertale të kryeqytetit austriak, duke sjellë një program të veçantë muzikor që ndërthur perlat e muzikës shqiptare me kryeveprat e repertorit ndërkombëtar.
Koncerti, i cili po mbahet në kuadër të turneut ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”, përfaqëson një rrugëtim artistik dhe emocional, përmes të cilit Ramë Lahaj përcjell dashurinë për muzikën, rrënjët dhe identitetin shqiptar.
Turneu nisi më 10 tetor në Cyrih, vazhdoi më 30 tetor në Dyseldorf, ndërsa Vjena është ndalesa e radhës e këtij projekti artistik. Pas koncertit në kryeqytetin austriak, Lahaj dhe “ARMA Ensemble” do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt Torontos, ku do të performojnë më 13 dhjetor.
Koncerti në Vjenë nisi në orën 19:00, në sallën “Großer Saal” të Wiener Konzerthaus, duke shënuar një tjetër takim të rëndësishëm të artistit me publikun shqiptar dhe artdashësit ndërkombëtarë.
Përmes këtij turneu, Ramë Lahaj jo vetëm që prezanton talentin dhe kulturën muzikore shqiptare në skena prestigjioze botërore, por edhe krijon ura emocionale mes artistit, atdheut dhe bashkatdhetarëve që jetojnë larg tij.
