Me talentin dhe interpretimin e saj, Dalina u shpall fituese e këtij edicioni, duke shënuar një sukses të veçantë në skenën e Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”.
Çmimi i parë iu dorëzua nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në mbrëmjen finale të mbajtur në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku 15 artistë të rinj prezantuan këngët e tyre drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestra.
Pas shpalljes fituese, Dalina përcolli një mesazh frymëzues për fëmijët që e ndoqën festivalin, duke i inkurajuar të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre.
“Duhet të ëndërrojnë gjithmonë dhe të mos dorëzohen kurrë, siç thotë edhe teksti i këngës sime”, u shpreh ajo.
Në këtë edicion të parë, çmimi i dytë, Okarina e Argjendtë për Fëmijë, iu nda Rita Krasniqit për këngën “Soprano”, ndërsa çmimin e tretë, Okarina e Bronztë për Fëmijë, e fitoi Marin Keri me këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.
Ndërkaq, çmimi për tekstin më të mirë shkoi për Aksa Sulejmanin me këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi.
Edicioni i parë i “Akordeve për Fëmijë” solli në skenë talente të reja, duke u dhënë mundësi të shfaqin aftësitë e tyre artistike në një festival të rëndësishëm muzikor.
Me fitoren e saj, Dalina Haxhiu bëhet emri kryesor i këtij edicioni të fëmijëve duke përcjellë përmes këngës “Ëndrra ime s’fle” një mesazh të qartë për rëndësinë e besimit në vetvete, këmbënguljes dhe realizimit të ëndrrave.