Frika nga vjedhjet nëpër banesa po rritet në rajonin Terre Sainte të kantonit Vaud në Zvicër. Qindra banorë janë organizuar në grupe WhatsApp për të shkëmbyer informacione, për të paralajmëruar njëri-tjetrin dhe për të mbajtur nën vëzhgim lagjet e tyre. Megjithatë, policia thotë se numri i vjedhjeve nuk është rritur krahasuar me vitet e kaluara.
Me shkurtimin e ditëve gjatë vjeshtës dhe kalimin në orën dimërore, rreziku nga vjedhjet nëpër banesa zakonisht shtohet. Kjo situatë ka ngritur shqetësim te banorët e rajonit Terre Sainte, në pjesën perëndimore të kantonit Vaud, mes qyteteve Nyon dhe Gjenevë.
Një nga rastet e fundit është regjistruar në komunën Tannay, ku shtëpia e një banoreje të identifikuar si Marie-Eliane ishte cak i hajdutëve rreth dhjetë ditë më parë.
Sipas saj, autorët shfrytëzuan mungesën e saj dhe faktin se një derë e pasme kishte mbetur e hapur për të hyrë në shtëpi dhe për të marrë sende personale, përfshirë stoli me vlerë.
Dëmi i shkaktuar nga vjedhja vlerësohet në rreth 20 mijë franga zvicerane.
“Është ende një përvojë shumë shqetësuese. Duhet patjetër të mbrohemi. Kam pasur fat që fqinjët po kujdeseshin për mua, veçanërisht falë kamerave të sigurisë, përmes të cilave arritën të njoftonin për rastin. Bashkëpunimi mes fqinjëve është shumë i rëndësishëm”, ka deklaruar ajo për televizionin zviceran RTS.
Pas këtij rasti, banorja po shqyrton mundësinë e vendosjes së ndriçimit dhe kamerave shtesë të sigurisë.
Qindra banorë organizohen në grupe WhatsApp
Në rajonin Terre Sainte, ku përfshihen komunat Bogis-Bossey, Chavannes-de-Bogis, Chavannes-des-Bois, Commugny, Coppet, Founex, Mies dhe Tannay, banorët po shtojnë organizimin përmes rrjeteve sociale dhe platformave të komunikimit.
Në disa grupe WhatsApp janë përfshirë deri në 700 anëtarë, të cilët raportojnë raste të dyshimta, informojnë për vjedhjet dhe ndajnë shqetësimet e tyre.
Frikën e banorëve e ka shtuar edhe një rast i rëndë i grabitjes në banesën e disa personave të moshuar, i njohur si “homejacking”.
Kryetari i komunës Tannay, Michaël Schlegel, thotë se grupet e tilla janë krijuar gjatë muajve të fundit dhe numri i tyre po vazhdon të rritet.
Sipas tij, banorët kanë nevojë të informohen më shumë për atë që po ndodh në lagjet e tyre dhe të ndihen më të sigurt.
Tannay shton masat e sigurisë
Autoritetet lokale po ndërmarrin masa për të parandaluar vjedhjet dhe për të rritur sigurinë e banorëve.
Në komunën Tannay janë vendosur kamera të reja, është përforcuar ndriçimi publik dhe është përmirësuar mbikëqyrja e hyrjeve në fshat.
Gjithashtu, policia ka zgjeruar oraret e patrullimit dhe po zhvillon aktivitete parandaluese. Komuna ka angazhuar edhe një kompani private për shtimin e patrullave, ndërsa brenda këshillit komunal është krijuar një grup pune për çështjet e sigurisë.
Pas rasteve të raportuara, policia u bën thirrje qytetarëve të raportojnë edhe automjetet e panjohura që qëndrojnë pranë banesave apo lëvizjet e dyshimta.
Pascal Stockbürger, shef i stacionit policor në Coppet, ka bërë të ditur se qytetarët mund të kërkojnë edhe kontrolle parandaluese të sigurisë në shtëpitë e tyre, ku zyrtarët policorë vlerësojnë gjendjen e dyerve dhe pikave të mundshme të hyrjes.
Policia: Nuk ka rritje të numrit të vjedhjeve
Pavarësisht shqetësimit të madh të banorëve, policia thotë se gjatë vitit 2026 nuk është regjistruar ndonjë rritje e jashtëzakonshme e vjedhjeve në rajonin Terre Sainte.
Sipas Pascal Stockbürger, numri i rasteve aktualisht është i barabartë ose edhe më i ulët krahasuar me vitet e kaluara.
Megjithatë, që nga fillimi i tetorit janë regjistruar më shumë telefonata për persona të dyshimtë dhe më shumë raste vjedhjesh sesa gjatë muajve të verës.
Policia thekson se kjo është një dukuri sezonale që përsëritet çdo vit me kalimin në orën dimërore. Në këtë periudhë shënohet një rritje e të ashtuquajturave “vjedhje në muzg”, kur errësira bie më herët dhe banesat mund të duken të pabanuara.
Sipas policisë, nëse merret parasysh i gjithë viti, aktiviteti kriminal në këtë rajon mbetet përgjithësisht i qëndrueshëm.
Ndërkohë, një nga ndryshimet kryesore të viteve të fundit është shtimi i komunikimit mes banorëve përmes rrjeteve sociale, i cili në disa raste mund të ndikojë edhe në përhapjen e frikës.
Për këtë arsye, policia në Coppet ka përshtatur oraret e patrullimit, duke synuar të jetë më e pranishme në terren dhe të krijojë komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Homejacking: Sulme të rënda, por të rralla
Një shqetësim i veçantë në rajonin e Liqenit të Gjenevës mbetet edhe fenomeni i njohur si “homejacking”, që nënkupton grabitjen e një banese në prani të viktimave, me përdorimin e kërcënimeve ose dhunës fizike për marrjen e sendeve me vlerë.
Sipas të dhënave të policive kantonale, rajoni i Liqenit të Gjenevës përqendron shumicën e rasteve të raportuara në Zvicrën frankofone.
Në kantonin e Gjenevës janë regjistruar 18 raste gjatë vitit 2025, krahasuar me 15 raste në vitin 2024 dhe një mesatare prej 13 rastesh në vit gjatë dekadës së fundit.
Ndërsa në kantonin Vaud, numri i rasteve është rritur nga dy në vitin 2022, në tri në vitet 2023 dhe 2024, deri në nëntë raste në vitin 2025.
Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se numri i vogël i rasteve nuk lejon nxjerrjen e përfundimeve të sigurta për një trend afatgjatë.
Si të mbrohemi nga vjedhjet në banesa?
Policia rekomandon disa masa të thjeshta parandaluese:
– Mbajini gjithmonë të mbyllura dyert dhe dritaret, edhe kur largoheni për pak kohë.
– Mos lini çelësa rezervë në vende të dukshme jashtë shtëpisë.
– Kujdesuni për fqinjët dhe informoni njëri-tjetrin për lëvizjet e dyshimta.
– Në rast dyshimi, kontaktoni policinë në numrin 117.
– Kur largoheni për pushime, kërkoni nga dikush që t’ju zbrazë kutinë postare.
– Përdorni ndriçimin ose radion për të krijuar përshtypjen se dikush ndodhet në shtëpi.
– Shmangni publikimin në rrjete sociale të fotografive që tregojnë se jeni larguar nga banesa.
Policia u bën thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë, por edhe të shmangin përhapjen e informacioneve të pakonfirmuara, të cilat mund të shtojnë panevojshëm frikën në mesin e banorëve.