Skip to content

Merkel: Ka ardhur koha që Gjermania të zgjedhë presidenten e parë grua

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur mbështetjen e saj për zgjedhjen e një gruaje në postin e presidentit të Gjermanisë, duke theksuar se vendi duhet të bëjë një hap drejt barazisë gjinore në krye të shtetit.

Pas 77 vitesh, gjatë të cilave presidenca gjermane është udhëhequr vetëm nga burra, Merkel vlerëson se ka ardhur momenti që kjo traditë të ndryshojë. Ajo ka bërë thirrje që pasardhësja e Frank-Walter Steinmeier të jetë një grua, në zgjedhjet që pritet të mbahen më 30 janar 2027.

“ A nuk ka ardhur koha për këtë?”, deklaroi Merkel në një intervistë për Magenta TV, të transmetuar më 30 tetor.

Ish-kancelarja bëri të ditur se njeh disa gra me aftësitë e nevojshme për ta ushtruar këtë funksion, por nuk përmendi emra konkretë dhe as nuk shprehu mbështetje për ndonjë kandidate të caktuar.

Ndërkohë, në skenën politike gjermane kanë nisur të qarkullojnë disa emra të mundshëm. Kreu i Unionit Kristian Social (CSU), Markus Söder, ka mbështetur presidenten e parlamentit bavarez, Ilse Aigner. Në mesin e emrave që përmenden janë edhe presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner, ministrja e Arsimit, Karin Prien, si dhe ish-kryetarja e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer.

Zgjedhja e presidentit gjerman bëhet përmes një Asambleje Federale, e cila përbëhet nga deputetët e Bundestagut dhe një numër i barabartë përfaqësuesish të zgjedhur nga parlamentet e landeve federale.

Në procesin e ardhshëm pritet të marrin pjesë gjithsej 1,260 anëtarë. Për t’u zgjedhur në dy raundet e para, kandidati duhet të sigurojë shumicën absolute të votave, ndërsa në raundin e tretë fiton ai që merr më shumë vota. Mandati aktual i Steinmeier përfundon më 18 mars 2027.

Angela Merkel ka hyrë tashmë në historinë politike të Gjermanisë si gruaja e parë që ka mbajtur postin e kancelares. Ajo drejtoi qeverinë gjermane për katër mandate radhazi, nga viti 2005 deri në vitin 2021.

Tani, përmes kësaj thirrjeje, Merkel mbështet mundësinë që edhe posti i presidentit të vendit të drejtohet për herë të parë nga një grua, që nga themelimi i Republikës Federale të Gjermanisë në vitin 1949.