Që nga kriza e COVID-19, furnizimi me disa lloje të barnave është bërë gjithnjë e më i vështirë. Prej disa vitesh, Zvicra po përballet me mungesa të shpeshta të medikamenteve, veçanërisht të atyre me çmime të ulëta, por thelbësore për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.
Në mesin e barnave që mungojnë janë antibiotikët, medikamentet për sëmundje kronike, si epilepsia dhe Parkinsoni, të cilat nuk mund të zëvendësohen lehtësisht me alternativa të tjera. Problemi prek edhe barnat për fëmijë.
Për të parandaluar një krizë të plotë të furnizimit, Konfederata Zvicerane ka vendosur rezerva të detyrueshme për barnat dhe substancat më të rëndësishme. Miliona kuti medikamentesh ruhen në depo të specializuara dhe presin të shpërndahen në barnatore dhe spitale. Në rast të rrezikut për mungesë, një pjesë e këtyre rezervave mund të vihet menjëherë në qarkullim.
“Për një antibiotik, i cili është një nga produktet klasike të përfshira në rezervat e detyrueshme, nëse kemi 10 mijë kuti, 3 mijë prej tyre janë të rezervuara dhe nuk mund të përdoren për furnizimin e zakonshëm”, shpjegon Bernhard Megert, drejtor i kompanisë Alloga AG, e cila administron një nga depot më të mëdha të barnave në Zvicër.
Rritje e ndjeshme e rasteve të mungesës
Lirimi i barnave nga rezervat e detyrueshme ndodh më shpesh sesa mund të mendohet: mesatarisht dy deri në tri herë në javë.
Gjatë dekadës së fundit, numri i rasteve është rritur ndjeshëm. Në vitin 2016, Konfederata kishte autorizuar 17 raste të përdorimit të rezervave, ndërsa në vitin 2025 ky numër arriti në 127.
Shkaqet e mungesave janë të shumta. Një ndër faktorët kryesorë është zhvendosja e prodhimit të barnave drejt vendeve aziatike, për shkak të kostove më të ulëta dhe fitimeve të kufizuara nga prodhimi i disa medikamenteve.
“Shpesh bëhet fjalë për barna, patentat e të cilave kanë skaduar dhe që kanë marzhe shumë të ulëta fitimi. Për këtë arsye, prodhimi i tyre është zhvendosur në Azi dhe nuk zhvillohet më këtu. Në rast të ndërprerjeve në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit, rezervat tona mund të ndihmojnë në përballimin e situatës”, shpjegon Roland Pfister nga Zyra Federale për Furnizimin Ekonomik (AEP).
Propozohen ndryshime për lehtësimin e importit të barnave
Për të përmirësuar situatën, autoritetet zvicerane po shqyrtojnë disa masa. Njëra prej tyre parasheh që barnat e autorizuara në Zvicër dhe në Bashkimin Evropian të mos kenë më nevojë për ambalazhim të veçantë vetëm për tregun zviceran.
Gjithashtu, fletëudhëzimet tradicionale mund të zëvendësohen me kode QR, përmes të cilave pacientët do të kenë qasje në informacionin përkatës.
“Ky ndryshim do të na ndihmonte. Do të mund të importonim më lehtë barna nga Gjermania, Franca dhe Italia, duke kapërcyer më shpejt vështirësitë në furnizim”, thotë Peter Huber, president i Helvecura-s, organizatës përgjegjëse për administrimin e rezervave të detyrueshme të barnave esenciale.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse këto masa do të mjaftojnë për ta zgjidhur plotësisht problemin.
Industria farmaceutike kërkon reformë në financimin e rezervave
Të mërkurën, industria farmaceutike dhe organizata Helvecura kërkuan reformimin e mënyrës së financimit të rezervave të detyrueshme.
Sipas tyre, ndryshe nga produktet e tjera, kostot e magazinimit të barnave nuk mund të përfshihen në çmimet e medikamenteve, pasi këto çmime janë të rregulluara nga autoritetet.
Po ashtu, ata kërkojnë që rezervat e detyrueshme për furnizimin e zakonshëm të barnave të ndahen qartë nga rezervat që nevojiten në raste pandemish. Sipas propozimit, sigurimi dhe financimi i këtyre të fundit duhet të bëhet veçmas nga ana e qeverisë federale.
Në perspektivë, industria kërkon gjithashtu monitorim më të mirë të disponueshmërisë së barnave, zinxhirë furnizimi më rezistentë ndaj krizave dhe diversifikim të prodhimit të përbërësve aktivë farmaceutikë.