Skip to content

“Liria ka Emër” paralajmëron peticion dhe grevë kundër vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së

Platforma “Liria ka Emër”, përmes përfaqësuesit të saj Ismail Tasholli, ka bërë të ditur se po përgatit disa iniciativa në kundërshtim me aktgjykimin dënues të Gjykatës së Hagës ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Tasholli ka njoftuar se ndër aktivitetet e planifikuara është organizimi i një peticioni në Kosovë dhe në diasporë, me synimin për të mbledhur rreth një milion nënshkrime. Sipas tij, peticioni do t’u përcillet institucioneve përkatëse në Hagë, Strasburg dhe Bruksel.

Një tjetër iniciativë që pritet të organizohet është një grevë, e cila, sipas Tashollit, do të zhvillohet çdo ditë për nga 10 minuta deri në marrjen e vendimit nga Gjykata e Apelit. Gjatë kësaj kohe parashihet ndërprerja e përkohshme e punës në institucione dhe pezullimi i qarkullimit.

Ndërkaq, aktiviteti i tretë do të përfshijë realizimin e 40 videove, të ndara në katër seri, ku personalitete nga fusha të ndryshme do të shprehin qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre për UÇK-në.

Në këto video pritet të marrin pjesë intelektualë, nëna të dëshmorëve dhe figura të njohura publike, përfshirë edhe influencerë.

Tasholli ka bërë të ditur gjithashtu se platforma ka dërguar letra te deputetët e Parlamentit Evropian dhe përfaqësues të tjerë të Bashkimit Evropian, duke kërkuar vëmendjen e tyre lidhur me procesin gjyqësor në Hagë.