Skip to content

Italia përballet me sulme kibernetike, në shënjestër ministri Tajani dhe projekti i tunelit të Brennerit

Italia është përballur me disa sulme kibernetike, ku ndër objektivat kryesorë kanë qenë ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, si dhe kompania përgjegjëse për ndërtimin e tunelit hekurudhor të Brennerit, raporton Euronews, transmeton albinfo.ch.

Ministri Tajani bëri të ditur se prej disa ditësh është shënjestër e sulmeve kibernetike, të cilat dyshohet se lidhen me mbështetjen e Italisë për Ukrainën. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai njoftoi se persona të panjohur kanë publikuar të dhënat e tij personale në Dark Web, ndërsa po përpiqen të sigurojnë edhe informacione të tjera.

Sipas tij, këto veprime kanë krijuar një situatë shqetësuese, pasi kërcënimet dhe përpjekjet për presion nuk janë drejtuar vetëm ndaj tij, por edhe ndaj familjarëve të tij.

Tajani vlerësoi se sulmet kanë prapavijë politike dhe lidhen drejtpërdrejt me qëndrimin e Italisë në mbështetje të Ukrainës. Ai theksoi se mbrojtja e demokracisë, lirisë dhe sovranitetit të shteteve është bërë objektiv i grupeve kriminale që qëndrojnë pas këtyre sulmeve.

Në mbështetje të ministrit reagoi edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni. Ajo e cilësoi publikimin apo shitjen e të dhënave konfidenciale të zyrtarëve publikë si një çështje serioze, që kërkon reagim dhe masa të vendosura.

Një tjetër incident kibernetik është regjistruar ndaj kompanisë BBT SE, e cila është përgjegjëse për projektin e tunelit bazë të Brennerit. Ky projekt përfshin ndërtimin e një lidhjeje hekurudhore nëntokësore prej 55 kilometrash, që do të lidhë qytetin e Innsbruckut në Austri me Fortezën në Itali.

Kompania konfirmoi se sulmi ndodhi më 17 tetor. Menjëherë pas incidentit, ajo aktivizoi mekanizmat e sigurisë, shkëputi sistemet e prekura dhe angazhoi ekspertë të jashtëm për të analizuar ngjarjen dhe për të përcaktuar shkallën e dëmit.

Sipas informacioneve të publikuara, nga rrjeti i kompanisë që ka qasje në internet janë marrë të dhëna që nuk ishin të destinuara për publikun.

Gazeta austriake “Tiroler Tageszeitung”, e cila raportoi e para për rastin, bëri të ditur se dyshimet fillestare të hetuesve janë përqendruar te grupi i hakerëve pro-rusë “Everest”.

Këto incidente kanë shtuar shqetësimet për sigurinë kibernetike në Itali, veçanërisht për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, të dhënave personale dhe infrastrukturës strategjike.