Lajme

Në Zvicër as një bisht cigareje nuk falet: gjoba për mbeturinat nis nga 80 franga

Komuna e Spreitenbachut ka përshtatur rregulloren policore me rregullat e reja federale për hedhjen e mbeturinave në vende publike. Sipas dispozitave që kanë hyrë në fuqi më 1 gusht 2026, gjoba për një mbetje të vetme të hedhur në mënyrë të paligjshme është 80 franga.

Ndryshimet kanë për qëllim harmonizimin e rregullave komunale me legjislacionin federal zviceran për të ashtuquajturin littering dhe për hedhjen e paligjshme të mbetjeve urbane, transmeton albinfo.ch.

Sa janë gjobat?

Sipas rregullave të reja, gjobat përcaktohen në varësi të sasisë së mbeturinave:

80 franga për një mbetje të vetme, si bisht cigareje, ambalazh, kanaçe ose shishe;

100 franga për dy ose më shumë mbetje të vogla, me vëllim më pak se 17 litra;

150 franga për mbetje me vëllim nga 17 deri në 35 litra;

250 franga për sasi mbi 35 deri në 110 litra;

për sasi mbi 110 litra, zbatohet procedurë e rregullt penale.

Këshilli Komunal i Spreitenbachut ka miratuar ndryshimin e rregullores policore për komunat që mbulohen nga Policia Rajonale Wettingen-Limmattal.

Ndryshimi është bërë i nevojshëm pas hyrjes në fuqi të rregullave të reja federale, të cilat zëvendësojnë dispozitat e mëparshme kantonale dhe komunale.

Gjoba edhe për mbeturina të vogla

Rregullat e reja nënkuptojnë se edhe një mbetje e vogël e hedhur në mënyrë të pakujdesshme në hapësirën publike mund të sjellë gjobë.

Në këtë kategori përfshihen, ndër të tjera, bishtat e cigareve, ambalazhet, kanaçet dhe shishet.

Për sasi deri në 110 litra zbatohet procedura e gjobës administrative. Në rastet kur sasia e mbeturinave tejkalon këtë kufi, ose kur nuk mund të vendoset gjobë administrative, çështja kalon në procedurë të rregullt penale/albinfo.ch/