Lajme

“Biblioteka Shqip” në Toskanë, libra dygjuhësh për fëmijët shqiptarë

Nisma synon ta afrojë librin dhe gjuhën shqipe me familjet shqiptare në qytetet ku mungojnë strukturat e rregullta të mësimit të shqipes.

Në disa qytete të Toskanës, në Itali, fëmijët shqiptarë kanë pasur mundësinë të marrin libra dygjuhësh me përralla, në kuadër të projektit “Biblioteka Shqip në Diasporë”, transmeton albinfo.ch.

Aktiviteti është zhvilluar në qytete si Pistoia, Casalguidi, Montecatini dhe Pescia, ku, sipas organizatorëve, mungojnë shkollat shqipe. Përmes shpërndarjes së librave, synohet që gjuha shqipe dhe literatura për fëmijë të jenë më të qasshme për familjet shqiptare në këto komunitete.

Dhjetëra fëmijë kanë marrë libra dygjuhësh me përralla, duke pasur mundësinë që përmes leximit të ruajnë lidhjen me gjuhën dhe kulturën shqiptare edhe jashtë vendlindjes.

Projekti “Biblioteka Shqip në Diasporë” synon ta çojë librin shqip te fëmijët dhe familjet shqiptare jashtë vendit, veçanërisht në komunitetet ku nuk ka struktura të rregullta për mësimin e gjuhës shqipe.

Për këtë aktivitet, Qendra e Botimeve për Diasporën (QBD) ka falënderuar nënkryetaren e Bashkisë së Pistoias, Stefania Nesi, presidenten e shoqatës “Integrity” në Pistoia, Etleva Rrapa, si dhe Bashkinë e Lushnjës për bashkëpunimin dhe kontributin në këtë nismë.

Nisma synon që përmes librit të krijojë një lidhje më të qëndrueshme të fëmijëve shqiptarë me gjuhën dhe kulturën e tyre, duke e bërë leximin në shqip pjesë të jetës familjare në diasporë./Albinfo.ch