Dy persona janë arrestuar pas një zjarri që shpërtheu të hënën pasdite në një dhomë të Qendrës Federale të Azilit në lagjen Kreis 5 të Cyrihut, njofton Policia e Qytetit të Cyrihut, përcjell albinfo.ch.
Alarmi për zjarrin u dha pak pas orës 16:30, ndërsa ekipet e emergjencës evakuuan të gjithë objektin. Zjarri u vu shpejt nën kontroll dhe u parandalua përhapja e mëtejshme e tij. Megjithatë, për shkak të tymit të dendur, ekipet e zjarrfikësve vazhduan punën për shuarjen përfundimtare dhe largimin e tymit deri pak para mesnatës.
Katër persona u dërguan në spital për kontroll dhe trajtim mjekësor, për shkak të dyshimit për helmim nga tymi. Bëhet fjalë për një banor të qendrës dhe tre punonjës të saj. Të gjithë u liruan nga spitali gjatë natës.
Arrestohen dy shtetas të huaj
Sipas të dhënave të para të hetimeve, zjarri ka shpërthyer në një dhomë gjumi. Policia nuk e përjashton mundësinë që bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
Në lidhje me rastin, Policia e Qytetit të Cyrihut ka arrestuar një 22-vjeçar nga Tunizia dhe një 24-vjeçar nga Algjeria. Ky i fundit ishte në mesin e personave që u dërguan në spital pas incidentit.
Pas përfundimit të punimeve të emergjencës, një pjesë e banorëve kanë mundur të kthehen në qendrën e azilit. Për rreth 160 persona të tjerë është dashur të sigurohet akomodim alternativ.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaktarit të zjarrit po zhvillohen nga specialistët e hetimit të zjarreve të Policisë Kantonale të Cyrihut, Instituti i Mjekësisë Ligjore të Cyrihut dhe Prokuroria Publike./Albinfo.ch