Skip to content

Neuchâtel synon zgjerimin e pilot-projektit për shkollimin gjatë gjithë ditës

Pilot-projekti i nisur në vitin 2024 në qytetin zviceran të Neuchâtel-it, ka dhënë rezultate pozitive, duke siguruar mbështetjen e 92 për qind të familjeve pjesëmarrëse. Autoritetet kanë vendosur vazhdimin e tij dhe zgjerimin në shkolla të tjera.

Pilot-projekti për shkollimin gjatë gjithë ditës në Neuchâtel të Zvicrës ka marrë vlerësim pozitiv nga autoritetet, familjet dhe profesionistët e arsimit. Programi MAÉ ndërthur mësimin me kujdesin pas orarit shkollor dhe aktivitetet sportive e kulturore, duke synuar lehtësimin e organizimit familjar dhe krijimin e mundësive më të barabarta për fëmijët.

Sipas vlerësimit të realizuar nga Universiteti i Neuchâtel-it, 92 për qind e familjeve pjesëmarrëse janë shprehur të kënaqura me programin, ndërsa 76 për qind kanë deklaruar se ai ua ka lehtësuar organizimin e përditshëm. Nga 588 nxënësit e dy shkollave pjesëmarrëse, Serrières dhe Crêt-du-Chêne, 74 për qind janë regjistruar në këtë program.

Edhe vlerësimi i nxënësve ka treguar se kënaqësia e tyre për të shkuar në shkollë ka mbetur e pandryshuar dhe se nuk është konstatuar rritje e lodhjes. Megjithatë, stafi arsimor ka evidentuar nevojën për përmirësime në organizim, për shkak të ngarkesës së shtuar të punës.

Pilot-projekti do të vazhdojë në një fazë të dytë, nga viti 2027 deri në vitin 2030. Në shtator të vitit 2027 pritet t’i bashkohen edhe dy shkolla të tjera, Les Parcs dhe Valangin, me 482 nxënës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të pjesëmarrësve në rreth 1.000. Në vitin 2028, zgjerimi parashihet edhe në komunën Laténa.

Zbatimi dyvjeçar i projektit ka kushtuar 8.65 milionë franga zvicerane, prej të cilave 2.8 milionë janë mbuluar nga prindërit.

Autoritetet synojnë që, pas fazës pilot, modeli të zgjerohet gradualisht në të gjitha shkollat e nivelit të mesëm në komunën e Neuchâtel-it.