Këtë e kam menduar shpesh, sidomos gjatë viteve kur kam pasur mundësinë të takoj, të intervistoj dhe të portretizoj njerëz të artit e të kulturës. Pas një koncerti, një ekspozite apo një vepre artistike qëndrojnë shumë më tepër sesa ajo që shohim në skenë apo në publik. Ka vite pune, sakrifica, pasiguri, përkushtim dhe, mbi të gjitha, një nevojë për të krijuar e për të shprehur diçka.
Arti dhe kultura kërkojnë investim, jo vetëm financiar, por edhe kohë, hapësirë dhe vëmendje. Por çmimi që paguajmë kur i lëmë në hije është shumë më i lartë. Sepse pa to varfërohet jo vetëm jeta jonë kulturore, por edhe mënyra se si e njohim veten, si e ruajmë kujtesën dhe si na njohin të tjerët.
Kur mendoj për praninë e shqiptarëve në Zvicër, më kujtohet se sa shpesh kemi qenë pjesë e diskutimeve për migrimin, integrimin, politikën apo sukseset ekonomike. Të gjitha këto janë pjesë e realitetit tonë. Por krahas tyre ka ekzistuar edhe një botë tjetër, ajo e artistëve, krijuesve dhe njerëzve të kulturës, që jo gjithmonë ka marrë vëmendjen që meriton.
Në këto pesëmbëdhjetë vite, albinfo.ch ka qenë një nga hapësirat ku kjo botë ka gjetur vendin e saj. Ndoshta jo gjithmonë aq sa do të kishim dëshiruar, por mjaftueshëm sa të lërë gjurmë.
Nga fjala te portreti
Me albinfo.ch jam i lidhur që nga fillimet. Fillimisht përmes shkrimeve dhe intervistave, e më vonë edhe përmes fotografisë, veçanërisht portretit.
Në pamje të parë, të shkruash për dikë dhe ta fotografosh mund të duken si dy punë të ndryshme. Për mua, ato kanë qenë gjithmonë dy mënyra për të bërë të njëjtën gjë: për të njohur njeriun që kam përballë dhe për të treguar diçka nga historia e tij.
Kam pasur kënaqësinë të takoj e të portretizoj personalitete si Elina Duni, Gjon’s Tears e shumë të tjerë. Natyrisht, sukseset e tyre kanë qenë arsye për t’u gëzuar e për t’u krenuar. Por ajo që më ka interesuar më shumë ka qenë njeriu pas emrit të njohur. Rruga që ka bërë deri aty, sfidat, vendimet, dyshimet dhe gjithçka që nuk shihet kur ai del në skenë apo para publikut.
Në intervista kam kërkuar t’i kuptoj këto histori përmes fjalës. Në portrete, kam provuar t’i tregoj përmes dritës.
Nuk kam dashur thjesht të krijoj një fotografi të bukur apo vetëm të shoqëroj një artikull me një imazh. Më ka interesuar që personi përballë aparatit të mos mbetet vetëm një emër, një profesion apo një sukses. Që përmes portretit të mund të shohim diçka më shumë nga ai.
Kjo ka pasur rëndësi edhe për një arsye tjetër. Për shumë vite, shqiptarët në Zvicër janë parë shpesh përmes disa stereotipave të gatshëm. Ndërsa unë, në takimet me këta njerëz, kam parë një realitet shumë më të pasur dhe më të larmishëm. Njerëz me histori të ndryshme, me përvoja të shumëfishta, me identitete që nuk mund të përmblidhen në një përkufizim të vetëm.
Mbase këtu qëndron edhe lidhja ime mes gazetarisë dhe fotografisë. Të dyja më kanë dhënë mundësinë të hedh pak më shumë dritë mbi atë që shpesh nuk shihet në shikim të parë.
Përtej folklorit
Kur shoh se si është zhvilluar arti dhe kultura shqiptare në Zvicër gjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve, më duket se një nga ndryshimet më të rëndësishme është mënyra se si kemi filluar ta kuptojmë dhe ta prezantojmë kulturën tonë.
Për një kohë të gjatë, kultura shqiptare në diasporë është identifikuar kryesisht me folklorin, vallet, këngët, traditat, gatimet tradicionale dhe manifestimet që na mbanin të lidhur me vendlindjen.
Nuk dua aspak ta nënvlerësoj këtë pjesë. Përkundrazi, ajo ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e gjuhës, kujtesës dhe lidhjeve mes brezave.
Por kultura nuk është vetëm ajo që trashëgojmë. Është edhe ajo që krijojmë.
Dhe pikërisht këtu mendoj se kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara.
Sot, artistë me prejardhje shqiptare janë pjesë e skenës së muzikës bashkëkohore, xhazit, teatrit, kinemasë, letërsisë, arteve pamore dhe shumë fushave të tjera. Krijimtaria e tyre nuk kufizohet domosdoshmërisht nga përkatësia etnike. Ata krijojnë, eksperimentojnë dhe komunikojnë me një publik që shkon shumë përtej komunitetit shqiptar.Më duket me rëndësi që edhe ne, si media dhe si publik, të ecim në të njëjtin drejtim.
Të mos e shohim një artist vetëm përmes origjinës së tij, por përmes asaj që krijon. Të mos kërkojmë patjetër një element shqiptar në çdo vepër, por të kemi kureshtjen dhe gatishmërinë ta kuptojmë atë në vlerat e veta artistike.
Natyrisht, është bukur kur dikush me prejardhje shqiptare arrin sukses në skenat ndërkombëtare. Por do të doja që vëmendja jonë të mos ndalej vetëm te fakti se ai ose ajo është shqiptar.Sepse një artist nuk bëhet interesant vetëm prej origjinës së tij. Ai meriton të vlerësohet për atë që krijon.
Përtej titujve të lajmeve: gjurmë në kujtesën kulturore
Gjatë punës sime me albinfo.ch, kam qenë i vetëdijshëm se arti dhe kultura shpesh kanë qenë në konkurrencë me temat e tjera të aktualitetit. Politika, zhvillimet shoqërore, çështjet e integrimit apo ngjarjet e ditës kanë pasur natyrshëm më shumë hapësirë dhe vëmendje.
Ndonjëherë kam pasur përshtypjen se kultura mbetej në plan të dytë. Dhe këtë nuk e them si kritikë vetëm ndaj albinfo.ch, por si një vëzhgim më të gjerë për mënyrën se si funksionojnë mediat tona dhe për atë që shpesh zgjedhim të lexojmë.
Megjithatë, sot, kur kthehem pas dhe mendoj për gjithë ato intervista, shkrime dhe portrete, e kuptoj edhe më mirë rëndësinë e tyre.
Një koncert përfundon. Një ekspozitë mbyllet. Një shfaqje largohet nga skena. Edhe lajmi për to, pas pak ditësh, humbet mes lajmeve të tjera. Por diçka mbetet.
Mbeten fjalët e artistit, fotografitë, rrëfimet, mendimet e tij në një moment të caktuar të jetës. Mbeten dëshmi të një kohe dhe të një komuniteti që ka ndryshuar dhe vazhdon të ndryshojë.
Për mua, kjo është një nga vlerat më të mëdha të gazetarisë kulturore. Ajo nuk na tregon vetëm çfarë ndodhi dje apo çfarë do të ndodhë nesër. Me kalimin e viteve, ajo bëhet pjesë e kujtesës sonë kolektive.
Ndonjëherë mendoj se vlera e një interviste apo e një portreti nuk mund të matet vetëm në ditën kur publikohet. Madje, ndoshta ajo bëhet më e madhe me kalimin e kohës, kur kthehemi tek ai material dhe shohim jo vetëm një personalitet, por edhe një pjesë të historisë sonë.
Në këtë kuptim, arkivi i albinfo.ch nuk është thjesht një grumbull lajmesh e artikujsh. Është edhe një dëshmi e rrugëtimit të shqiptarëve në Zvicër, e njerëzve që kanë krijuar, kanë menduar dhe kanë lënë gjurmët e tyre në jetën kulturore të këtij vendi.
Drita për pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme
Pesëmbëdhjetë vjet janë një arsye e mirë për të festuar, por edhe për të menduar se çfarë mund të bëjmë më mirë.
Do të doja që në vitet e ardhshme arti dhe kultura të zinin një vend edhe më të rëndësishëm në mediat tona. Jo vetëm kur një artist fiton një çmim, arrin famë apo përfaqëson me sukses prejardhjen e tij, por edhe kur është në fillim të rrugës, kur kërkon, eksperimenton apo provon diçka të re.
Do të doja të shihnim më shumë histori të atyre që krijojnë pa qenë domosdoshmërisht emra të njohur. Më shumë hapësirë për mendimin kritik, për veprën artistike dhe për biseda që shkojnë përtej suksesit apo origjinës.
Sepse besoj se një komunitet nuk pasurohet vetëm nga sukseset ekonomike apo nga përfaqësimi i tij politik. Pasurohet edhe nga arti që krijon, nga kultura që zhvillon dhe nga mënyra se si i trajton njerëzit që i japin jetë asaj.
Në fund, për mua, t’i japësh dritë artit dhe kulturës nuk do të thotë t’i paraqesësh gjithmonë në mënyrën më të bukur apo më të favorshme. Do të thotë t’u japësh vëmendjen që meritojnë, t’i shohësh me kureshtje, me respekt, por edhe me sy kritik.
Këtë kam provuar të bëj, përmes fjalës dhe përmes portretit, gjatë rrugëtimit tim me albinfo.ch.
Dhe shpresoj që në pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme të ketë edhe më shumë hapësirë për këto histori, për këta njerëz dhe për krijimtarinë e tyre.
Sepse arti dhe kultura kushtojnë. Por mungesa e tyre kushton shumë më tepër.
Rromir Imami – redaktor i kulturës dhe artit në albinfo.ch