Lajme

Mbi 1,700 persona humbin jetën çdo vit në Zvicër nga rrëzimet

Rrëzimet përbëjnë një problem serioz të shëndetit publik në Zvicër, veçanërisht për të moshuarit. Mbi 1,700 persona humbin jetën çdo vit si pasojë e rrëzimeve, ndërsa mjekët dhe specialistët bëjnë thirrje për më shumë masa parandaluese.

Në Zvicër, rreth 95 për qind e rrëzimeve fatale përfshijnë persona mbi moshën 64-vjeçare, sipas Këshillit Zviceran për Parandalimin e Aksidenteve (BPA). Rrëzimet janë gjithashtu shkaku kryesor i lëndimeve te të moshuarit. Rreth gjysma e tyre ndodhin në shtëpi, ndërsa një e katërta në hapësira publike.

“Është shumë e rëndësishme që ta parashikojmë këtë problem dhe të ndërmarrim masa parandaluese për çrregullimet e ecjes dhe rrëzimet”, tha Aurélie Tahar, mjeke përgjegjëse për Qendrën për Parandalimin dhe Trajtimin e Rrëzimeve në Spitalet Universitare të Gjenevës (HUG), për edicionin e mbrëmjes të lajmeve të RTS-së.

Qendra e specializuar, e cila u hap dy vjet më parë, ofron programe rehabilitimi dy pasdite në javë. Pacientët i nënshtrohen këtij programi pas një ose më shumë rrëzimeve, me rekomandimin e mjekut të tyre.

Një problem me kosto të lartë për shoqërinë

Rrëzimet përbëjnë një problem të rëndësishëm të shëndetit publik dhe shkaktojnë kosto të konsiderueshme për shoqërinë. Sipas specialistëve, kostoja vjetore arrin në rreth 1.8 miliardë franga zvicerane.

“Kjo përfshin të gjitha kostot direkte, shpenzimet e hospitalizimit, ndërhyrjet kirurgjikale dhe rehabilitimin pas operacioneve”, shpjegon Lucien Combaz, përgjegjës i zyrës së shtypit të BPA-së.

Megjithatë, sipas tij, kjo shifër përfaqëson vetëm një pjesë të kostos reale.

“Ka edhe shumë kosto të tjera që shkaktohen nga rrëzimet, për shembull kur nevojiten masa për ta mbajtur personin në shtëpi. Këto nuk përfshihen në këtë përllogaritje. Prandaj, kostoja reale për shoqërinë është shumë më e madhe”, tha Combaz.

Parandalimi është thelbësor

Plakja e popullsisë mund ta përkeqësojë situatën në vitet e ardhshme, pasi numri i rrëzimeve mund të rritet ndjeshëm. Për këtë arsye, specialistët theksojnë rëndësinë e parandalimit.

“Duhet t’i inkurajojmë të gjithë të moshuarit që të merren rregullisht me aktivitet fizik dhe të kenë një ushqyerje të ekuilibruar, të pasur me proteina”, theksoi mjekja Aurélie Tahar.

Ajo nënvizon gjithashtu rëndësinë e të mos neglizhuarit një rrëzim apo shenjat e para të vështirësive në ecje. Shpesh, serioziteti i një rrëzimi nënvlerësohet, veçanërisht nga vetë personi që e ka përjetuar atë.

Specialistët rekomandojnë që problemet me ekuilibrin dhe ecjen të trajtohen sa më herët, në mënyrë që të reduktohet rreziku i rrëzimeve të tjera dhe pasojave të tyre.