Portrete të firmave
Furra “Arena” në Vjenë, tradita shqiptare me cilësi austriake
Në furrën “Arena” e cila gjendet në Wallenstrasse 7 në qarkun e 20-të (Bezirk 20) të Vjenës, ofrohet shumëllojshmëri e gatimeve tradicionale shqiptare, ballkanike dhe atyre austriake
Biznesi i shqiptarëve me hapjen e furrave të bukës gjatë viteve të fundit po vërshon Austrinë. Furrat shqiptare tashmë gjenden thuajse në çdo vend dhe qytet të Austrisë. Vetëm në Vjenë mendohet të jenë rreth 40 furra me pronarë shqiptarë, po aq thuhet se janë edhe në vendet e tjera të Austrisë. Por, të parët që filluan në Vjenë me këtë biznes janë familja Krasniqi nga fshati Damjan, komuna e Gjakovës.
Në furrën “Arena”, e cila gjendet në Wallenstrasse 7 në qarkun e 20-të (Bezirk 20) të Vjenës, ofrohet shumëllojshmëri e gatimeve tradicionale shqiptare, ballkanike dhe atyre austriake. Në ambientet e kësaj furre janë të vendosura edhe tavolina për klientë, ku përveç ushqimit tradicional, mund të pini kafe apo të freskoheni me pije të prodhuesve shqiptarë.
“Në vitin 2016 në muajin mars kemi hapur furrën tonë në Vjenë me emrin furra “Arena”. Në atë kohë ka qenë furra e parë shqiptare në Vjenë, por besoj edhe në Austri”, thotë për albinfo.at pronari Hysen Krasniqi.
Afro 50 vjet traditë
Familja Krasniqi nga rajoni i Hasit po vazhdon me sukses traditën e tyre të furrtarëve. Biznesin me furra kjo familje e ka trashëgimi prej afro 50 vjetëve.
“Familja jonë e ka trashëgimi prej babagjyshit. Në vitin 1974 fillimisht baba ka hapur një furrë në Nish të cilën e ka mbajtur deri në vitin 1988. Për shkak të përkeqësimit të situatës në atë kohë, dhe përhapjes së propagandave të llojllojshme serbe vetëm për të larguar klientët që mos të blinin tek ne, ai është larguar nga aty dhe ka hapur një furrë në Novi Sad. Atje kemi qëndruar mbi një vit me një furrë tonën, por edhe aty kishim provokime të shpeshta dhe nuk ishim të dëshiruar për popullatën. Më pas, u shpërngulëm në Zagreb. Në Zagreb kemi qëndruar deri në vitin 2005. Gjatë këtyre viteve si bashkësi familjare, kemi arritur t’i blejmë 5 dyqane tona. Nga viti 2005 deri në vitin 2016, jemi zhvendosur në Slloveni, përkatësisht në Maribor, ku kemi pasur tre lokale tona të furrës. Nga viti 2016 kemi ardhur në Vjenë ku hapëm edhe furrën e parë shqiptare”, tregon Hyseni një kronologji të shkurtër familjare mbi trashëgimin e biznesit të furrave.
Pse zgjodhën Vjenën?
Vëllezërit Krasniqi, Hyseni dhe Hasani, gjithnjë kanë qenë në hulumtim të tregut dhe duke kërkuar vende ku është perspektiva për këtë lloj biznesi, jo vetëm për punën e tyre por edhe për sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve.
“Ne e dinim që në Vjenë jetojnë shumë shtetas të Ballkanit. Produktet tona thuajse janë të ngjashme në gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë. Kemi hulumtuar tregun dhe kemi qenë të bindur se në Vjenë do të këtë interesim. Gjatë bisedave tona me disa persona në këtu, na thoshin se nuk ia vlen të investojmë në këtë biznes, sepse ka shumë furra edhe të komuniteteve tjera që jetojnë në Austri. Megjithatë, ne ishim të sigurt se produktet e furrave shqiptare kanë dallim të madh me të gjitha furrat e tjera”.
Byreku, produkti më i kërkuar nga klientët
Në furrën “Arena“ mund të furnizoheni me 5-6 lloj bukësh, me byrekë të shijshëm, kifle dhe ëmbëlsira të llojllojshme.
Po të shohësh produktet dhe ambientin, të duket i njëjti me furrat që shohim në Kosovë. Por, cili është dallimi mes një furre në Kosovë dhe furrës shqiptare në Austri? Për këto dhe të tjera hollësi, na tregon Hyseni.
“Produktet janë thuajse të njëjta por materialin që e përdorim këtu në Austri është shumë më cilësor. Çdo material që marrim është i një kualiteti vërtet shumë të lartë, dhe është nën kontroll rigoroze nga autoritetet austriake. Me pak fjalë, këtu mishi është mish dhe djathi –djathë, e jo gjizë”, shprehet ai duke shtuar se produkti më i kërkuar nga klientët është byreku.
Meqë këto produkte janë të njohura edhe në Kosovë, Kroaci, Slloveni dhe vende të tjera të Ballkanit, është e natyrshme që edhe klientët në furrën “Arena” shumica janë nga vendet e Ballkanit, duke mos përjashtuar edhe klientët austriakë dhe të nacionaliteteve tjera.
Rritja e çmimeve ka vështirësuar punën e tyre
Bukëpjekësi Krasniqi tregoi se aktualisht në furrën e tij janë të punësuar 14 punëtorë, 12 prej të cilëve janë shqiptarë. “Shqiptarët gjithmonë kanë përparësi por edhe e njohin më së miri këtë zanat dhe produktet që ne i shesim”. Ai thotë se të menaxhosh një furrë buke nuk është gjithmonë e lehtë. “Duhet të jesh i kujdesshëm me materialin ku dhe prej kujt e merr. Duhet të kesh kualitet në prodhim dhe shërbim. Ne punojmë edhe vet. Personalisht zgjohem në orën 4 të mëngjesit dhe deri në orën 16 pasdite jam tërë ditën duke punuar”.
Me ardhjen e pandemisë dhe tashme rritjen e çmimeve, edhe situata në biznesin e tyre nuk është si më parë. “Fatkeqësisht në muajt e fundit çmimet po rriten dukshëm, dhe kjo nuk është e lehtë as për ne. Janë rritur çmimet e gjërave elementare për furrtarët si: vaji, mielli, sheqeri, kripa, rryma, gazi… Kjo po na detyron që të rrisim edhe ne çmimet e produkteve tona”, thotë bukëpjekësi Krasniqi.
Në planet e familjes Krasniqi është hapja e dyqanit të dytë të furrës në Vjenë. Ata kanë siguruar dyqanin, kurse hapja pritet të bëhet së shpejti.
Box
Furra e parë shqiptare në Vjenë
“Në vitin 2016, në muajin mars, kemi hapur furrën tonë në Vjenë me emrin furra “Arena”. Në atë kohë ka qenë furra e parë shqiptare në Vjenë, por besoj edhe në Austri”, thotë për albinfo.at pronari Hysen Krasniqi.
E-Diaspora
-
Diaspora i dërgon letër kancelarit gjerman Scholz, kanë një kërkesë për të Organizata e Akademikëve dhe Studentëve të Diasporës Shqiptare në Hamburg i është drejtuar kancelarit të Gjermanisë,...
-
Kosovë: 6634 persona të regjistruar për votim nga diaspora, ja deri kur është afati
-
Kurti takoi mërgatën edhe në qytetin e Këlnit
-
Kurti takoi bashkatdhetarë të shumtë në Shtutgart
-
Madrid: 12 veçarja shqiptare në prag të përfaqësimit të Shqipërisë
Jeta në Austri
-
‘Të zhvendosni të moshuarit’: Si duan austriakët të zgjidhin kostot në rritje të qirasë Me rritjen e kostove të strehimit në Austri, një sondazh i fundit ka zbuluar se si...
-
Austria mbetet prapa në pagesat pa para
-
27 kërcënime me bombë në Austri, arrestohet një zviceran
-
Austri: Deri në 20% të pacientëve humbasin terminet te mjeku
-
A do të përballet Austria me grevat e vjeshtës kur fillojnë negociatat kyçe të sindikatave?