Shqipëria është bërë pjesë e Marrëveshjeve Artemis, duke iu bashkuar komunitetit ndërkombëtar që angazhohet për eksplorimin paqësor, transparent dhe të përgjegjshëm të hapësirës, përcjell albinfo.ch.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë një ceremonie në selinë qendrore të NASA-s në Uashington.
Hoxha e cilësoi nënshkrimin si një hap të rëndësishëm për Shqipërinë, veçanërisht në drejtim të shkencës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas tij, marrëveshja krijon mundësi të reja për brezin e ri dhe e afron Shqipërinë me teknologjitë, njohuritë dhe partneritetet që lidhen me eksplorimin e hapësirës.
Marrëveshjet Artemis synojnë të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar për eksplorimin paqësor dhe të qëndrueshëm të hapësirës, duke vendosur parime të përbashkëta për aktivitetet hapësinore.
Hoxha tha se ky zhvillim i jep një dimension të ri edhe partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara./Albinfo.ch