Portrete të firmave

Shqiptarja që shet vila milionëshe në Zvicër: Gentiana Ahmeti, “Immofluencerja” që po ndryshon mënyrën e shitjes së pronave

Në një vilë luksoze në Pfäffikon, me pishinë, tavane tre metra të larta dhe mobilie të punuara me porosi, Gentiana Ahmeti pret një klient të mundshëm. Prona kushton rreth 5 milionë franga, ndërsa Ahmeti ka detyrën t’i gjejë blerësin.

31-vjeçarja është ndërmjetëse e pasurive të paluajtshme dhe njëkohësisht “Immofluencerin”. Përmes Instagramit dhe TikTokut ajo prezanton shtëpi e apartamente që ka në shitje, duke e zhvendosur një pjesë të rëndësishme të biznesit të saj nga vizitat tradicionale te rrjetet sociale.

Gazeta zvicerane NZZ i ka kushtuar një portret të gjerë Ahmetit, duke e vendosur historinë e saj edhe në kontekstin e debatit të ashpër për banesat, qiratë dhe pronësinë në kantonin e Cyrihut.

Nga punonjëse në sektorin e patundshmërive te kompania e saj

Ahmeti ka kryer një shkollim profesional në administratë dhe më pas ka hyrë në sektorin e pasurive të paluajtshme. Pas lindjes së fëmijës dhe gjatë periudhës së pandemisë, ajo kërkonte një mënyrë për të kombinuar më mirë familjen me karrierën.

Zgjidhja ishte vetëpunësimi. Ajo themeloi Gentiana Real Estate AG dhe nisi aktivitetin si ndërmjetëse e pavarur.

Sot, sipas NZZ-së, Ahmeti shet çdo vit dy deri në tri vila luksoze me vlerë disa milionë franga.

Por puna, thotë ajo, nuk ka të bëjë vetëm me prezantimin e shtëpive. Shumë prona dalin në shitje pas divorceve, ndarjeve apo vdekjeve në familje. Në këto raste, ndërmjetësja duhet të menaxhojë edhe situata të ndjeshme mes trashëgimtarëve ose ish-partnerëve.

Instagrami si vitrinё për vila milionëshe

Një nga elementet që e dallon Ahmetin është mënyra se si i promovon pronat.

Në vend të reklamimit tradicional, ajo përdor intensivisht rrjetet sociale. Në videot e saj prezanton kuzhina, dhoma, shkallë, ambiente të jashtme dhe karakteristikat e veçanta të pronave.

Ahmeti ka mbi 4 mijë ndjekës në Instagram, ndërsa disa nga videot e saj në TikTok, sipas NZZ-së, kanë arritur deri në një milion shikime.

Ajo thotë se videot në rrjetet sociale kanë sjellë edhe biseda konkrete me persona të interesuar për blerje. Sipas saj, sot kontakti i parë me një pronë shpesh nuk ndodh më fizikisht, por online.

Një vilë 5 milionë franga – dhe klienti që nuk erdhi

NZZ e shoqëron Ahmetin gjatë prezantimit të një vile në Pfäffikon. Një klient 21-vjeçar, i cili sipas saj kishte krijuar pasuri nga tregtimi i kriptovalutave, kishte planifikuar ta shihte pronën për ta marrë me qira për 8’500 franga në muaj.

Por ai nuk u paraqit.

Në segmentin e luksit, situata është ndryshe nga tregu i zakonshëm i banesave në Cyrih. Ndërsa për apartamente me qira mund të paraqiten qindra të interesuar, për një vilë prej disa milionësh shitësi duhet të konkurrojë për një numër shumë më të vogël klientësh potencialë.

Për këtë arsye, prona përgatitet deri në detaj për prezantim: mobilie të vendosura posaçërisht, dekorime, jastëkë, qirinj dhe elemente të tjera që ndihmojnë klientin ta imagjinojë jetën në atë shtëpi.

Ahmeti: Pronësia është e rëndësishme

Portreti i NZZ-së prek edhe debatin politik për krizën e banimit në Cyrih, ku çmimet dhe mungesa e banesave kanë nxitur protesta dhe iniciativa të shumta politike.

Ahmeti mbron rëndësinë e pronës private. Sipas saj, të qenët pronar ofron më shumë fleksibilitet dhe privatësi, ndërsa prona mund të shërbejë edhe për krijimin e pasurisë afatgjatë.

Ajo kritikon gjithashtu procedurat e gjata të lejeve dhe kundërshtimet ndaj projekteve të ndërtimit, duke argumentuar se ndërtimi i ngadalshëm nuk ndihmon në zgjidhjen e mungesës së banesave.

Megjithatë, Ahmeti deri tani ka qëndruar larg pozicionimit partiak në rrjetet sociale.

Për momentin prioriteti i saj është shumë më konkret: të gjejë dikë që do të paguajë 5 milionë franga për vilën në Pfäffikon.

Burimi: NZZ