Skip to content

Nesër në Tiranë mbahet ceremonia përshëndetëse e karrierës së Altin Karaqit

"Gjatë Kampionatit Mbarëkombëtar të Karatesë, për festën e 28 Nëntorit do të mbahet edhe ceremonia përshëndetëse, përmbyllet nje karriere 20 vite aktive"

Alvin Karaqi është një karateist shumë i suksesshëm, i cili njihet edhe si mjek po shtu i suksesshëm, në Zvicër. Që nga shtatori i vitit 2025, ai punon si mjek rezident në kirurgjinë e legenit dhe gjurit në Klinikën Schulthess në Cyrih. Më parë, ai ka punuar në Spitalin Kantonal të Aaraut.

Ai sjell një lajm interesant s i përket aktivitetit të tij sportiv.

“Nesër në Tiranë gjatë Kampionatit Mbarëkombëtar të Karatesë, për festën e 28 Nëntorit do të mbahet njëkohësisht edhe ceremonia përshëndetëse e karrierës time. Me këtë rast përmbyllet nje karriere 20 vite aktive”, thotë Karaqi për albinfo.ch.

“Me mbi 200 medalje dhe tituj si Kampion i Lojërave Olimpike Evropiane, nënkampion Evropian, i treti i ranglistës botërore dhe Kampion Evrope për Universitete”, radhit ai disa nga sukseset e tij ndër vite.

Por lista është më e gjatë. Në këtë periudhë ai është shpallur Sportist i Vitit ne Prishtinë dhe Kosovë, Atleti i Vitit në Shqipëri, është nderuar me Yllin e Nderit nga Kryeministri Edi Rama dhe ka marrë çelësin e qytetit nga qyteti Vernon i Frances, të cilin e ka përfaqësuar 10 vite dhe ia ka sjellë medaljen e artë në Kampionatin francez.

Kampionati i 24-të Mbarëkombëtar i Karatesë zhvillohet nesër, më 28 Nëntor 2026, në Sallën e Sportit “Fetih Borova” në Tiranë. Ky aktivitet organizohet nga Federata Shqiptare e Karatesë në kuadër të Ditës së Flamurit dhe bashkon sportistë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.

Aktiviteti mbahet më 28 Nëntor 2026, me rastin e festës së Ditës së Flamurit. Garat zhvillohen në Sallën e Sportit “Fetih Borova” (Parku Olimpik), Tiranë.

Ky kampionat tradicional synon vëllazërinë sportive, duke mbledhur klube dhe garues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora.