Skip to content

Shiroka Pula takon presidenten sllovene, në fokus integrimi i Kosovës në BE dhe NATO

Në takimin në Ohër u diskutua edhe për mbështetjen sllovene për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik.

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka takuar sot presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Brdo-Brijuni në Ohër, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka Pula theksoi se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i palëkundur. Ajo nënvizoi se integrimi në Bashkimin Evropian duhet të bazohet në merita, duke vlerësuar përparimin dhe reformat e secilit vend.

Presidentja ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik në fushën e sigurisë.

Gjatë takimit, ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë, veçanërisht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke kërkuar vazhdimin e kësaj përkrahjeje deri në përmbylljen e procesit.

Dy presidentet diskutuan edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.

Shiroka Pula vlerësoi rolin e Procesit Brdo-Brijuni në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Kosova është pjesë e kësaj nisme që nga viti 2013./Albinfo.ch