Skip to content

Shisni në Tutti apo Ricardo? Kujdes nga mesazhet që synojnë llogarinë tuaj bankare

Mashtruesit përdorin blerës të rremë, kode QR dhe faqe të falsifikuara për të marrë të dhënat bankare të përdoruesve në Zvicër.

Mashtruesit po shfrytëzojnë platformat Tutti, Ricardo dhe Facebook Marketplace për t’u afruar te përdoruesit dhe për t’u marrë të dhënat bankare. Një raportim i publikuar sot nga SRF shpjegon skemat që përdoren, përcjell albinfo.ch.

Kontakti nis zakonisht me interesimin për një produkt. Më pas, personi kërkon që biseda të vazhdojë në WhatsApp apo aplikacione të tjera, duke anashkaluar filtrat e sigurisë së platformës.

Në një nga skemat, blerësi i rremë pretendon se ka paguar dhe dërgon një lidhje ose kod QR, që shitësi duhet ta hapë për të marrë paratë. Aty shfaqen faqe të falsifikuara të bankave, Postës apo TWINT-it, ku kërkohen të dhënat e hyrjes.

Inteligjenca artificiale po i bën mesazhet dhe dokumentet e rreme më bindëse.

Për të marrë një pagesë nuk nevojitet dhënia e fjalëkalimit të bankës apo kodeve të sigurisë. Në rast se janë dorëzuar të dhëna të tilla, duhet kontaktuar menjëherë banka përmes numrit të saj zyrtar./Albinfo.ch