Skip to content

Zvicra rifillon kthimin e azilkërkuesve në Itali pas gati katër vitesh bllokadë

Zvicra ka realizuar transferimet e para të azilkërkuesve drejt Italisë, pas gati katër vitesh ndërprerje të bashkëpunimit në kuadër të marrëveshjes së Dublinit. Megjithatë, kthimet po bëhen në numër të kufizuar dhe për momentin përfshijnë kryesisht burra.

Sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), transferimet e para janë realizuar gjatë javëve të fundit, ndërsa autoritetet zvicerane synojnë që gradualisht të kthejnë në Itali personat për të cilët ky shtet është përgjegjës në bazë të rregullave të Dublinit.

Aktualisht, Zvicra ka 773 azilkërkues që mund të transferohen në Itali, por mbetet e paqartë nëse Roma do t’i pranojë të gjithë. Familjet, gratë dhe të miturit nuk janë përfshirë në transferimet e deritanishme.

Organizatat për mbështetjen e refugjatëve e kundërshtojnë këtë praktikë, duke argumentuar se sistemi italian i azilit është i mbingarkuar. Ato kërkojnë që autoritetet zvicerane të shqyrtojnë individualisht nëse personat e kthyer kanë qasje në strehim të përshtatshëm, kujdes shëndetësor dhe procedura të azilit.

Italia kishte ndërprerë pranimin e azilkërkuesve të transferuar nga shtetet e tjera të BE-së, pas ardhjes në pushtet të kryeministres Giorgia Meloni në fund të vitit 2022. Gjatë kësaj periudhe, Zvicra mori përsipër procedurat e azilit për 4.036 persona, të cilët sipas rregullave do të duhej të trajtoheshin nga Italia. Nga ta, 1.934 persona përfituan azil ose pranim të përkohshëm në Zvicër.

Rifillimi i bashkëpunimit mes dy vendeve lidhet, sipas mediave zvicerane, edhe me presionin e institucioneve të Bashkimit Evropian ndaj Romës, pasi Italia rrezikonte të përjashtohej nga mekanizmi i solidaritetit evropian për mbështetjen e vendeve që përballen me numër të lartë azilkërkuesish.