Skip to content

Zvicra mbetet lider në Evropë për udhëtimet me tren, ndërsa transporti hekurudhor i mallrave shënon rënie

(KEYSTONE/Gaetan Bally)

Zvicra ka ruajtur edhe gjatë vitit 2025 pozitën e saj si vendi me përdorimin më të lartë të transportit hekurudhor në Evropë. Sipas të dhënave të Shërbimit Informativ për Transportin Publik (LITRA), qytetarët zviceranë kanë përshkuar mesatarisht 2.578 kilometra me tren dhe kanë realizuar 73,4 udhëtime për person gjatë vitit.

Krahasuar me vitin paraprak, distanca e përshkuar është rritur për 2,4 për qind, ndërsa numri i udhëtimeve për 3,5 për qind. Zvicra kryeson me një diferencë të konsiderueshme ndaj Hungarisë, Austrisë dhe Francës, ndërsa Greqia renditet e fundit në Evropë për përdorimin e trenit.

Për nga numri i udhëtimeve për person, pas Zvicrës renditet Luksemburgu me 45,5 udhëtime në vit, Austria me 37,4 dhe Hungaria me 36,1. Ndërkaq, për distancën mesatare të një udhëtimi, Zvicra renditet ndër vendet me distancat më të shkurtra, me 35 kilometra, krahasuar me Lituaninë, e cila kryeson me 88 kilometra.

Në të kundërt, transporti hekurudhor i mallrave në Zvicër ka shënuar rënie gjatë vitit 2025. Pjesëmarrja e hekurudhës në transportin e mallrave ka zbritur në 35 për qind, pas një rënieje prej dy pikë përqindjeje, duke arritur nivelin më të ulët të regjistruar.

Transporti hekurudhor i mallrave është zvogëluar për 5,5 për qind, ndërsa transporti rrugor është rritur për 2,7 për qind. Sipas Zyrës Federale të Statistikave, rënia lidhet kryesisht me zvogëlimin e trafikut transit përmes Alpeve, për shkak të punimeve infrastrukturore, veçanërisht në linjën e Luginës së Rajnës në Gjermani, si dhe me rritjen ekonomike nën mesataren në Gjermani dhe Itali.