Autoritetet federale zvicerane kanë konfirmuar pesë rastet e para të sulmeve kibernetike të realizuara me ndihmën e agjentëve të inteligjencës artificiale (AI).
Drejtori i Zyrës Federale për Siguri Kibernetike (BACS), Florian Schütz, deklaroi të enjten për televizionin publik zviceran SRF se tri prej këtyre sulmeve kishin si objektiv infrastrukturën kritike, ndërsa në dy raste sulmuesit kishin arritur të depërtonin në sistemet informatike, raporton Swissinfo, përcjell albinfo.ch.
Megjithatë, nuk janë regjistruar ndërprerje të mëdha të shërbimeve. Autoritetet ende nuk kanë identifikuar personat ose grupet që qëndrojnë pas sulmeve.
Ndër sektorët që konsiderohen pjesë e infrastrukturës kritike janë furnizimi me energji elektrike, uji i pijshëm dhe telekomunikacioni. Autoritetet nuk kanë bërë publikë emrat e kompanive të prekura.
Inteligjenca artificiale përshpejton sulmet kibernetike
Sipas autoriteteve federale, agjentët e inteligjencës artificiale mund të identifikojnë dobësitë e sistemeve informatike shumë më shpejt sesa njerëzit.
Përhapja e këtyre teknologjive u lë kompanive më pak kohë për identifikimin dhe neutralizimin e kërcënimeve.
Që nga tetori i vitit 2026, numri i mjeteve të tilla të inteligjencës artificiale, të qasshme në internet, pothuajse është dyfishuar.
Autoritetet paralajmërojnë se sulmet e automatizuara mund të bëhen më të shpeshta dhe të prekin organizata të të gjitha llojeve, jo vetëm operatorët e infrastrukturës kritike.
Autoritetet kërkojnë masa urgjente mbrojtëse
Zyra Federale për Siguri Kibernetike u rekomandon kompanive zvicerane të ndërmarrin disa masa parandaluese:
– Instalimin e përditësimeve kritike të sigurisë brenda 24 orëve nga publikimi i tyre;
– Kufizimin e numrit të sistemeve informatike të qasshme përmes internetit;
– Përdorimin e autentifikimit me shumë faktorë;
– Kufizimin e të drejtave të qasjes në sistemet e brendshme;
– Monitorimin e aktiviteteve të dyshimta;
– Testimin e rregullt të sigurisë së infrastrukturës informatike.
Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë veçanërisht të cenueshme, për shkak të burimeve të kufizuara financiare dhe teknike për mirëmbajtjen e sistemeve të tyre.
Autoritetet zvicerane presin një rritje të sulmeve kibernetike me përdorimin e inteligjencës artificiale dhe u bëjnë thirrje kompanive që të forcojnë mekanizmat mbrojtës.