Berlini mirëpriti më 25 nëntor aktivitetin “Albanian Startups Diaspora Roadshow 2.0”, një nismë që synon forcimin e lidhjeve mes ekosistemit shqiptar të startup-eve dhe diasporës shqiptare në Gjermani, si dhe krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit me investitorë, sipërmarrës dhe partnerë gjermanë, shkruan albinfo.de.
Në kuadër të këtij aktiviteti, pesë startup-e shqiptare prezantuan idetë dhe zgjidhjet e tyre inovative në fusha të ndryshme, përfshirë turizmin, shëndetësinë digjitale, inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e rreziqeve.
Përmes këtij prezantimi, sipërmarrësit patën mundësinë të promovojnë potencialin e tyre para përfaqësuesve të diasporës, investitorëve dhe aktorëve të ekosistemit gjerman të inovacionit, duke synuar krijimin e kontakteve të reja profesionale dhe mundësive për zhvillim të mëtejshëm.

Nisma “Albanian Startups Diaspora Roadshow 2.0” synon që lidhjet me diasporën shqiptare dhe partnerët gjermanë të shndërrohen në mundësi konkrete investimi, partneritete strategjike dhe bashkëpunime ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, diaspora shihet si një urë e rëndësishme lidhëse mes inovacionit shqiptar dhe tregjeve gjermane e globale, duke kontribuar në ndërkombëtarizimin e ideve dhe bizneseve të reja shqiptare.
Aktiviteti u organizua nga GERMIN, me mbështetjen e GIZ/EU4Innovation dhe në bashkëpunim me Startup Albania./Albinfo.de
