Lajme

“DUA” në Zurich Film Festival, filmi i Blerta Bashollit në garën ndërkombëtare

Filmi “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, do të prezantohet në Zurich Film Festival (ZFF), ku është përzgjedhur në International Feature Film Competition, duke e sjellë kështu historinë e tij para publikut zviceran dhe profesionistëve të industrisë ndërkombëtare të filmit.

Pjesëmarrja në Cyrih vjen në kuadër të edicionit të 22-të të Zurich Film Festival, i cili mbahet nga 24 shtatori deri më 4 tetor 2026.

Zurich Film Festival, i themeluar në vitin 2005, është shndërruar ndër vite në një prej ngjarjeve të njohura të filmit në hapësirën gjermanofolëse. Festivali sjell në Cyrih produksione të reja ndërkombëtare, talente të reja dhe emra të njohur të kinematografisë botërore, duke shërbyer njëkohësisht si pikëtakim për regjisorë, aktorë, producentë dhe profesionistë të industrisë.

Për “DUA”, prezantimi në Zurich Film Festival shënon edhe një mundësi të rëndësishme për ta takuar publikun në Zvicër, para se filmi të nisë rrugëtimin e tij në kinematë zvicerane.

Pas festivalit, filmi do të dalë në kinematë e Zvicrës më 15 tetor 2026, me distribucion nga Frenetic Films.

“DUA” është filmi më i ri i regjisores kosovare Blerta Basholli, e njohur ndërkombëtarisht për filmin “Zgjoi” (Hive). Ngjarja zhvillohet në Prishtinë, në fund të viteve ’90, në prag të luftës në Kosovë.

Në qendër të rrëfimit është Dua, një vajzë 13-vjeçare, e cila përjeton sfidat e adoleshencës në një kohë kur tensionet dhe pasiguria po bëhen pjesë e përditshmërisë. Përmes historisë së saj, filmi ndërthur procesin e rritjes dhe miqësinë me realitetin e një shoqërie që po përballet me afrimin e luftës.

Filmi përmban edhe elemente të frymëzuara nga përvojat personale të Blerta Bashollit, e cila vetë ishte adoleshente gjatë asaj periudhe në Kosovë.

Shfaqjet e “DUA” në Zurich Film Festival

Filmi “DUA” do të ketë katër shfaqje në kuadër të Zurich Film Festival:

  • E hënë, 28 shtator, ora 17:45 – Kinokoni 6*
  • E martë, 29 shtator, ora 15:15 – Kinokoni 6*
  • E premte, 2 tetor, ora 18:00 – Kinokoni 3
  • E shtunë, 3 tetor, ora 20:30 – Kinokoni 6

*Në shfaqjet e 28 dhe 29 shtatorit do të jetë e pranishme edhe regjisorja Blerta Basholli.

Biletat mund tî siguroni në këtë link: https://zff.com/en/movies/dua