Skip to content

Rrezikon të shtyhet lehtësimi i procedurave për birësimin e fëmijës së partnerit në Zvicër

Komisioni për Çështje Juridike i Dhomës së Kantoneve rekomandon që projektligji të rikthehet në Këshillin Federal. Organizatat për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ kundërshtojnë këtë vendim, duke paralajmëruar se fëmijët e familjeve ylber mbeten pa mbrojtje të mjaftueshme ligjore

Lehtësimi i procedurave për birësimin e fëmijës së bashkëshortit apo partnerit në Zvicër rrezikon të shtyhet për disa vite.

Komisioni për Çështje Juridike i Dhomës së Kantoneve (Këshilli i Shteteve) rekomandoi të martën, me shtatë vota pro dhe katër kundër, që projektligji për këtë çështje t’i kthehet Këshillit Federal.

Sipas njoftimit të komisionit, propozimi është që kjo çështje të përfshihet në reformën më të gjerë të legjislacionit për prindërinë dhe riprodhimin e asistuar mjekësor.

Nëse Dhoma e Kantoneve, e cila më herët ka shprehur qëndrimin për kthimin e projektligjit, e miraton këtë rekomandim, procedura e kthimit do të formalizohet.

Ndërkohë, Këshilli Kombëtar (Dhoma e Ulët e Parlamentit) ka mbështetur vazhdimin e projektit, duke shprehur shqetësimin se përfshirja e tij në një reformë më të gjerë mund ta vonojë miratimin për disa vite.

Organizatat LGBTQ+ kundërshtojnë vendimin

Projektligji prek drejtpërdrejt rreth 100 fëmijë të lindur përmes riprodhimit të asistuar mjekësor. Ndryshimet e propozuara synojnë t’ua lehtësojnë procedurat ligjore të birësimit prindërve të tyre, përkatësisht partnerëve të prindit biologjik.

Organizatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBTQ+ kanë shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të komisionit parlamentar.

Ato e kanë kritikuar rekomandimin, duke argumentuar se shtyrja e reformës i lë fëmijët pa mbrojtjen e nevojshme ligjore dhe i mban shumë familje ylber në pasiguri juridike.