Kosova

Anamorava Economic Forum 2026 mbledh në Gjilan bizneset vendore dhe diasporën

Oda Ekonomike e Kosovës ka ftuar bizneset e diasporës të marrin pjesë në “Anamorava Economic Forum 2026”, i cili do të mbahet më 8 tetor në Vali Ranch, në Gjilan.

Forumi synon të shërbejë si platformë për dialog ekonomik, investime dhe krijimin e partneriteteve të reja. Në të pritet të marrin pjesë përfaqësues të bizneseve, investitorë nga diaspora, institucione publike, komuna, organizata ndërkombëtare dhe partnerë zhvillimorë.

Gjatë aktivitetit do të prezantohen potencialet ekonomike dhe mundësitë konkrete për investime në rajonin e Anamoravës. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rolit të diasporës në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e lidhjeve të qëndrueshme me bizneset vendore.

Në kuadër të forumit do të prezantohet edhe platforma digjitale B2B, e krijuar për lidhjen e bizneseve vendore me kompanitë dhe investitorët nga diaspora. Platforma është zhvilluar në kuadër të një projekti të zbatuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Caritas Switzerland.

Sipas organizatorëve, kjo platformë synon të mundësojë identifikimin e partnerëve potencialë, shkëmbimin e mundësive të biznesit dhe zhvillimin e bashkëpunimeve të reja ndërmjet diasporës dhe sektorit privat në Kosovë.

Programi do të përfshijë panele tematike, prezantime të mundësive për investime, takime të drejtpërdrejta B2B dhe sesione rrjetëzimi. Kompanitë e diasporës do të kenë mundësi të krijojnë kontakte me bizneset vendore dhe të shqyrtojnë projekte të reja investimi e bashkëpunimi.

Për shkak të organizimit të takimeve B2B, konfirmimi paraprak i pjesëmarrjes është i domosdoshëm.

Anamorava Economic Forum 2026
Data: 8 tetor 2026
Vendi: Vali Ranch, Gjilan, Kosovë

Lexoni po ashtu:

“Neja me diasporën”, një aktivitet model që afron diasporën me atdheun