Kosova

Furnizimi me oksigjen, dyshohet se shkaktoi vdekjet në spitalin e Prishtinës

Dyshohet se përbërja brenda bombolës së oskidulës (substancë që relakson mushkëritë në operacionet e gjata në aspektin anesteziologjik), mund të jetë shkaktar i vdekjes së dy personave në QKUK

Një substancë që relakson mushkëritë gjatë operacionit në aspektin anesteziologjik, që quhet oksidul, dyshohet se shkaktoi  vdekjet e dy personave në Klinikën e Kirurgjisë në Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Kështu kanë deklaruar anëtarët e bordit të këtij shërbimi, sipas të cilëve, Policia dhe Prokuroria e Shtetit tanimë kanë filluar hetimet për këto raste.

Furnizimin më këtë gaz e ka bërë Kompania “Bubeari Komerc”, nga Kaçaniku. Por, kjo siç thuhet, nuk kishte licencë nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale për prodhim, por vetëm për import të këtij gazi.

Kështu ka thënë për RTK anëtari i Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Shemsi Veseli.

“Duhet të them nëse këtu ka ndodh ky lëshim. Hetuesia duhet ta japë fjalë e fundit. Megjithatë, ne jemi shumë të interesuar pavarësisht kush ka qenë, dhe kush do të ishte fajtori që thjesht të merren masa ndaj këtij fenomeni që është i rrallë”, ka deklaruar Veseli.

Ndryshe, pas një analize të Inspektoratit Farmaceutik, është konstatuar se duhet bërë analizat në Laboratorin Toksikologjik në Tiranë, nëse bombolat kanë qenë të kontaminuar. Veseli u shpreh se bombolat e mbetura janë karantuar, me ç’rast një mbetje nga bombola me oksidulën e dyshimtë, dhe një tjetër e pa përdorur janë dërguar për analiza në Tiranë për të vërtetuar nëse ato kanë qenë të kontaminuara.

“Është kërkuar nga Spitali i Pejës, furnitori që e bën, meqë është një operator krejt tjetër, i bombolave të oksigjenit që të fillojnë të sjellin bombola të tjera dhe ato i kemi karantu”, deklaroi ai.

Trakti Operativ në Klinikën e Kirurgjisë në Prishtinë do të vazhdojë me operacione dhe nuk është i bllokuar tërësisht. ”Për shkak të sigurisë do të kryhen vetëm rastet emergjente”, thuhet nga stafi i këtij shërbimi.

Agron Borovci nga Policia e Kosovës, tha për REL se nga Prokuroria e shtetit është marrë autorizimi për inicimin e rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me tre raste të dyshimta që kanë ndodhur në tri klinika të ndryshme.

“Jemi në fazën e parë të hetimeve, që përfshin sigurimin e dosjeve të pacientëve, marrjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe profesionistëve shëndetësorë. Në kontekstin e procesit hetimor ne po vazhdojmë edhe me ndërmarrjen e veprimeve të tjera që po ndikojnë në sqarimin dhe ndriçimin e plotë të këtyre vdekjeve si dhe po bashkëpunojmë me institucioneve relevante shtetërore që do t’i kontribuojnë procesit të hetimit”, tha Borovci.

Edhe ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se shkaktar i vdekjeve të dy personave në sallat operative mund të ketë qenë gazi i cili është përdorur. Sipas Ismailit, informacionet që ai i ka marrë nga inspektorati shëndetësor tregojnë se furnizuesi i cili e ka sjellë këtë lloj gazi për salla operative, ka qenë pa licencë.

“Sipas informatave që kam marrë nga inspektorati i shëndetësisë, mund të them se dyshimi kryesor është tek gazi që është përdorur gjatë operacioneve. Më pas është vërtetuar që operatori ekonomik që furnizon institucionin e QKUK-së me këtë gaz, ka qenë pa licencë dhe hetimet janë duke vazhduar”, tha Ismaili.

Ai ka thënë çdo vdekje e dyshimtë duhet të zbardhet dhe të dihen shkaqet që quan deri te fataliteti.

“Është për keqardhje çfarëdo lloj vdekje që ndodhë, por në këtë rast nuk është me rëndësi fare mosha e personit, por ajo që e ka shkaktuar vdekjen dhe duhet hulumtohet shkaku i vdekjes meqë ka dyshime për gazin”, tha Ismajli.