Kosova

Tromp kritikon Specialen: U krijua për ta kënaqur Serbinë, jo për të sjellë drejtësi

Nevenka Tromp, ish-hulumtuese e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ka kritikuar mënyrën e krijimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Tromp e ka cilësuar si “mëkat fillestar” të Dhomave të Specializuara faktin që, sipas saj, ato u konceptuan për ta “kënaqur” Serbinë dhe jo si një institucion i mirëfilltë për përcaktimin e përgjegjësisë. Ajo ka vlerësuar se gjykata u krijua më 2015 si çmim për vazhdimin e mbështetjes perëndimore për Kosovën, “me pritjen se lëshimet ndaj Beogradit do të çonin drejt njohjes së pavarësisë”, ka thënë Tromp për Radion Evropa e Lirë, përcjell albinfo.ch.

Duke folur për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Tromp ka thënë se procesi i apelit mund të sjellë ndryshime në vendimin e shkallës së parë. Sipas saj, megjithatë, një ndryshim i pjesshëm i aktgjykimit është më i mundshëm sesa rrëzimi i tij në tërësi.

Ajo ka përmendur si çështje që mund të kundërshtohen në apel konstatimet lidhur me “qëllimin e përbashkët kriminal”, mënyrën se si është përcaktuar kontributi individual i të dënuarve, si dhe vlerësimin e disa materialeve provuese.

Sipas Tromp, Paneli i Apelit mund ta konfirmojë aktgjykimin, ta rrëzojë shpalljen e fajësisë për pika të caktuara, t’i ndryshojë dënimet ose, në rrethana të caktuara, të urdhërojë një rigjykim të pjesshëm. Ajo ka theksuar se rezultatet e proceseve të apelit në gjykatat penale ndërkombëtare mund të jenë të paparashikueshme.

Tromp ka vlerësuar gjithashtu se aktgjykimi mund të ketë ndikim përtej përgjegjësisë individuale të katër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë mënyrën se si interpretohet lufta në Kosovë. Sipas saj, Serbia mund ta përdorë aktgjykimin në diskursin e saj politik për luftën dhe UÇK-në.