Kosova

Kosovë: Për 1 Maj nuk do të festohet, por do të protestohet

Mësohet se në Kosovë do të organizohet një marsh kundër padrejtësive ekonomike e shoqërore, sindikata të punëtorëve në Kosovë, aktivistë e organizata të ndryshme do të protestojnë më 1 Maj – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorit. Protesta është thirrur me fillim prej orës 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në qendër të Prishtinës, përcjell albinfo.ch.

Nexhat Llumnica nga Sindikata e Re e KEK-ut, ka thënë se kërkesa kryesore e tyre është ngritja e pagave konform shtrenjtimit të çmimeve të produkteve bazike dhe të rrymës.

“Çmimet po ngrihen, pagat po ulen në raport me inflacionin dhe kërkesa jonë kryesore është rritja e pagave në bazë të inflacionit dhe të shtrenjtimit të rrymës e të tregut të punës”, ka thënë ai.

Për kushte pune është ankuar edhe Ibrahim Jonuzi, nga Sindikata e Pavarura e Minatorëve. “Ta shënojmë 1 Majin duke shprehur pakënaqësitë tona dhe të bëjmë thirrje për të drejtat tona”, ka thënë ai.

Protesta do të organizohet edhe nga grupi protestues kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike “Asnjë cent ma shumë”. “Kauzat janë të ndërthurura. Varfërimi i klasës punëtorëve ka shkuar bashkë me inflacionin dhe rritjen e çmimit të energjisë”, ka thënë një prej anëtarëve të këtij grupi.

“Siç ka nisur 1 Maji si revoltë e klasës punëtorë, edhe ne organizohemi kundër sistemit kapitalist që shtyp punëtorët dhe ka primare profitin para punëtorit. Si pasojë e këtij sistemi po shohim lëndime, vdekje e shtypjet që po u ndodhin punëtorëve çdo ditë”, ka thënë një aktiviste nga Blloku Anti-Kapitalist, të cilin e ka prezantuar si strukturë organizative e grupeve të ndryshme.

Ndërkaq në një komunikatë për media nga Kolektivi Feminist është thënë se “gjendja për punëtorët e punëtoret në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e rëndë”.

“Janë të paktë ata/o të cilëve/ave paga ua mbulon shpenzimet mujore ku shumë prej nesh paguhemi nën pagën minimale, nuk mund ta marrim pushimin vjetor dhe punojmë më shumë se 40 orë në javë. Për punëtoret gra të cilat bëjnë punë të dyfishtë në shtëpi dhe treg, marrëdhënia e punës së paguar mbetet armiqësore, ngacmuese dhe e dhunshme. Për grupet e racializuara, si romët, personat me aftësi të kufizuara dhe personat queer, tregu është edhe më shtypës. Për pjesën dërrmuese puna e paguar mbetet hapësirë e pasigurtë, ku disa gjejnë edhe vdekjen. Viti 2025 shënon rekord me gjithësej 9 të vdekur deri tash, pa kushte minimale të sigurisë e me trajtim çnjerëzor”, thuhet në komunikatë.

Ky kolektiv ka theksuar rastin e grave greviste në Kuvend që u larguan nga puna për shkak të grevës. Aty po ashtu është vënë theksi te pozita e rëndë e pensionistëve.

“Këtë 1 Maj ne kumtojmë që këtyre shtypjeve mund t’i bëjmë ballë vetëm duke u organizuar politikisht, duke qëndruar në solidaritet me punëtorë e punëtore dhe kategori shoqërore të cënuara dhe duke qenë të zëshëm në revoltën tonë. Bashkë e denoncojmë sistemin që i ndëshkoi punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës për grevën e tyre, që na varfëron çdo ditë e më shumë e na i vjedh punën, jetën dhe dinjitetin tonë për t’i pasuruar pronarët. Duke insistuar në nevojën për organizim ndër-sektorial të punëtorëve/eve me apo pa pagë, të vetëpunësuarve/ave, të papunësuarve/ave, pensionistëve/eve e studentëve/eve, thërrasim që 1 Majin ta manifestojmë këmbueshëm, me revoltë, shpresë e vendosshmëri për ta mbrojtur dinjitetin, jetën tonë dhe për ta bërë drejtësinë dhe barazinë parim të organizimit tonë shoqëror”, thuhet në thirrjen për protestë.