Lajme

Reagon Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës për situatën në Preshevë

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës bën thirrje që të merret me më shumë seriozitet çështja e shqiptarëve që jeton në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc

 Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës konsideron se deklaratat kërcënuese të kreut qeveritar e shtetëror serb në lidhje me lapidarin e dëshmoreve të UCPMB-së kanë ngritur dukshëm tensionet në Luginë të Preshevës.

  “Deklaratat e tilla janë shume të rrezikshme për stabilitetin dhe paqen në atë rajon. Shfryrjet e tilla nacionaliste i takojnë të së kaluarës dhe janë larg një shteti demokratik, ku respektohen të drejtat kombëtare të popujve. Ato mund të shndërrohen në dhunë dhe konflikte ndëretnike jo vetëm në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc por në të gjithë rajonin”, thuhet në një reagim të Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës.

 Në raundet e bisedimeve me Qeverinë e Kosovës shteti serb vjen me kërkesa skajshmërisht të papranueshme për qytetarët serb të Kosovës, thotë Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës.

 “Beogradi kërkon trajtim të veçantë për qytetarët, duke kërkuar autonomi territoriale për ta, e kështu duke kontestuar e kërcënuar drejtpërdrejtë në rregullimin e brendshëm shtetëror të Kosovës. Për minoritetin serb në Kosovë pra parashtrohen kërkesa te skajshme, përderisa në anën tjetër shqiptarët në Luginën e Preshevës nuk i gëzojnë shumë të drejta elementare, të cilat serbëve në Kosove u janë garantuar nga shteti i Kosovës dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Kërkesat e drejta te shqiptareve ne Preshevë, Medvegjë e Bujanoc po injorohen në tërësi nga qeveria e Beogradit e po ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, thuhet mes të tjerash në një komunikatë të KSHZ-s

 Për Kuvendin ky aplikim i standardeve të dyfishta për serbet në Kosovë në njërën anë e për shqiptarët e Luginës së Preshevës në anën tjetër është jashtëzakonisht i rrezikshëm, i padrejte dhe shume shqetësues.

 “Bashkësia ndërkombëtare do duhej të bënte presion mbi Beogradin, që me reciprocitet të respektojë të avancojë të drejtat e shqiptareve, ashtu siç po kërkon të drejta ekskluzive për minoritetin serb te Kosovës. Për më tepër, qeveritë në Prishtinë e në Tiranë do duhej te ishin më të zëshme në mbrojtjen e te drejtave te shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, thuhet në këtë reagim të Kuvendit.

 Kuvendi i Shqiptarëve te Zvicrës bën thirrje që të merret me shumë seriozisht çështja e shqiptarëve që jeton në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe t’u garantohen të gjitha të drejtat, përfshirë këtu edhe e drejta për të përkujtuar e për të ngritur lapidare për dëshmoret e kombit.