Lajme
Pakësohen dërgesat e diasporës në Kosovë
Kriza në vendet e Bashkimit Evropian ka ndikuar në pakësimin e dërgesave të diasporës në Kosovë gjatë vitit 2011 dhe trendi i rënies së dërgesave ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. Këto të dhëna u bënë publike të mërkurën në Prishtinë gjatë Prezantimit të projektit të UNDP-së dhe IOM-it “Inkuadrimi i diasporës në zhvillimin ekonomik”.
Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Gazmend Luboteni, tha se dërgesat e emigrantëve janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Kreu i BQK-së tha se dy segmente jashtëzakonisht të rëndësishme për fuqizimin e ekonomisë së Kosovës, janë dërgesat e emigranteve dhe investimet e huaja direkte. Mirëpo, për fat të keq, sipas Lubotenit, për shkak të ndikimeve të krizës financiare dhe zhvillimeve në eurozonë, ka pasur një rënie mjaft të konsiderueshme në tremujorin e parë të këtij viti të 2012 në dërgesat e emigranteve, e që janë diku rreth 6 milionë euro. Ai tha se një shumë mbi 500 milionë euro, për ekonominë e Kosovës, është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe ndihmesë e jashtëzakonshme .
“Për fat të keq, sipas të dhënave që ne disponojmë, për shkak të ndikimeve të krizës financiare dhe zhvillimeve në eurozonë, ka pasur një rënie mjaft të konsiderueshme, në tremujorin e parë të këtij viti, në dërgesat e emigrantëve diku rreth 6 milion. Mirëpo, megjithatë ne nuk jemi shumë pesimistë në këtë drejtim, për shkak se zakonisht në mesin e vitit kur është fluksi më i madh i punëtorëve tanë, që punojnë jashtë, mund të ndryshojë situata dhe të ngritet ai niveli, i cili për momentin është më i ulët, në krahasim me vitin e kaluar. Kështu që përsëri jemi optimist”, tha Luboteni.
Jorge Baca, shef i misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), tha se Kosova është duke dalë nga një histori e vështirë para së cilës ka pasur shumë sfida. Megjithatë, ai thotë se befasuar mbetet solidariteti i vazhdueshëm mes kosovarëve.
“Befasues mbetet solidariteti mes kosovarëve gjatë kohëve të vështira. Diaspora ka qëndruar prapa familjeve të tyre, duke dërguar miliona euro dhe se pas konfliktit ata kanë ndihmuar Kosovën në rindërtimin e saj. Sfidat për Kosovën janë ende të mëdha dhe se sfida më e madhe mbetet papunësia e cila është nga 40 deri në 50 për qind. Diaspora vazhdon t’i mbështet familjet e tyre me remitencat të cilat janë rreth 400 milion e që janë një kontribut substancial. Sfidë po ashtu mbetet edhe sjellja e diasporës për të investuar në Kosovë”, tha Baca.
Në këtë prezantim ishte i pranishëm edhe ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli. Makolli potencoi se studimet e tilla janë një ndihmesë për institucionet në hartimin e politikave të favorshme për të ardhmen e vendit.
“Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për investitorët e huaj, duke përfshirë edhe investimet nga mërgimtarët tanë, që kanë një rëndësi të veçantë për Kosovën. Një prej parakushteve themelore, mbetet përmirësimi i ambientit për investime. Ligjet që janë të aplikueshme në vendin tonë, kanë për qëllim nxitjen dhe inkurajimin e investitorëve të huaj në Kosovë, duke i garantuar se investimet e tyre do të mbrohen dhe trajtohen në mënyrë të drejtë”, tha Makolli.
Sipas tij, Kosova ka hequr shumicën e barrierave afariste, duke krijuar lehtësira për biznese, stabilitet ekonomik dhe qëndrueshmëri bankare.
“Ministria e Diasporës mbetet e përkushtuar që të japë gjithë kontributin e vet konform kornizave ligjore dhe ndër objektivat kryesore është identifikimi inkurajimi dhe përkrahja e investimeve të huaja, me theks të veçantë investimeve të pjesëtareve të diasporës. Ministria e Diasporës, në bashkëveprim me institucionet e tjera shtetërore, do të angazhohet në hartimin e politikave të favorshme, për investime nga diaspora”, tha Makolli.
Sipas tij është shumë e rëndësishme në këtë aspekt shqyrtimi i mundësive të krijimit të ofertave të favorshme fiskale, sidomos duke pasur parasysh faktin se investimet potenciale të pjesëtarëve të diasporës në vendin e tyre të origjinës, janë matësi kryesor i stabilitetit të ekonomisë në Kosovë dhe sinjal pozitiv shumë i rëndësishëm për investitorët nga shtete e huaja”, tha Makolli.
Naim Gashi është ekspert i ekonomisë i cili merret me analizimin e çështjeve makroekonomike, duke përfshirë edhe rëndësinë që kanë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, dërgimi i remitencave.
Ai tha për albinfo.ch se një faktor tjetër që mund të konsiderohet i rëndësishëm për nivelin aktual të dërgesave të diasporës në Kosovë është i natyrës sociale dhe tradicionale.
“Në mungesë të posedimit të shtetit të tyre, për shekuj me radhë, kosovarët janë shumë më solidarë në kohë krizash. Kjo ndodhi edhe në krizën e fundit financiare ndërkombëtare. Këto pohime i vërteton edhe një sondazhi të institutit të hulumtimeve “Gallup” për emigrimin dhe dërgesat e tyre, të realizuar në 135 vende të botës, i cili rezulton se Kosova është ndër vendet me më së shumti dërgesa të pranuara, krahasuar me numrin e banorëve”, tha Gashi.
Sipas tij hulumtimi tregon se 23% e familjeve në Kosovë pranojnë dërgesa nga jashtë dhe kjo paraqet përqindjen më të lartë në rajon.
Gashi tha se dërgesat nga jashtë përbëjnë të ardhurat kryesore për shumë familje kosovare dhe kanë një ndikim pozitiv në ekonominë e vendit, me rreth 12% të GDP-së.
Sipas tij, dërgesat nga diaspora kanë një efekt tjetër, të jashtëzakonshëm, në bilancin e pagesave me botën e jashtme, kur dihet se hendeku i importit mbulohet me eksport vetëm në masën prej rreth 10%. Gashi tha se remitencat janë “infuzion” për ekonominë e brishtë të Kosovës, mekanizëm për zbutjen e varfërisë në Kosovë dhe është fatkeqësi që niveli i tyre po bie, siç tregon edhe hulumtimi që u prezantua në Prishtinë.
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit










