Lajme

Ndarja e Kosovës, ëndërr e deformuar

Dy shefat e shteteve, Bamir Topi dhe Aftifete Jahjaga deklaruan se historia e Kosovës është një histori e përfunduar

Republika e Shqipërisë nuk e mbështet asnjë ide që çojnë në ndarjen e Kosovës dhe të gjithë ata njerëz që mendojnë në këtë linjë, e kanë gabim dhe jetojnë në ëndrrat e së kaluarës, deklaroi presidenti i Shqipërisë Bamir Topi. Të gjithë, sipas tij, duhet të mësohen me realitetin e ri, edhe ata që e kanë këtë ëndërr të deformuar. Këto komente Topi i bërë pas një takimi që zhvilloi në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. E ftuar nga kjo e fundit, presidenti në ikje i Shqipërisë, Bamir Topi ka nisur një vizitë dyditësh në Kosovë. Ai  sot ka mbajtur një fjalim edhe para ligjvënësve kosovarë në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës.    “Shqipëria, të gjitha institucionet, pavarësisht kush është në krye të institucioneve, kanë një zë të sinkronizuar… në mënyrë absolute nuk duhet të mendohet që mund të ketë ndarje të Kosovës. Kjo histori është e përfunduar. Të gjithë duhet të mësohen me këtë realitet, edhe ata që e kanë një ëndërr të deformuar”, tha Topi. Ndërsa i pyetur nga gazetarët se pas ndryshimeve politike në Serbi a mund të ketë reagime nga Beogradi në drejtim të Kosovës, Topi tha se Serbia nuk duhet të dalë jashtë projekteve të integrimit euroatlantik, sepse ky, sipas Topit, është një proces mbarërajonal. “Tendencat sot janë në integrim, askush nuk dëshiron të jetë jashtë kësaj linje, vetëm për shkak të një filozofie që lidhet me retrospektivën nacionaliste. Sot Ballkani ka totalisht një fizionomi tjetër. Në shumicë, vendet e Ballkanit Perëndimor njohin realitetin e ri dhe të pakontestueshëm të Kosovës”, tha presidenti shqiptar. Ai edhe një herë ua bërë të qartë lidershipit në Serbi, se historia e Kosovës është një histori e përfunduar nga pikëpamja e integritetit të një shteti të ri i cili do të njohë në të ardhmen edhe njohje të reja. Ndërsa presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se zgjedhjet në shtetin fqinj nuk dallojnë prej vendeve të tjera. “Është një proces që ka ndodhur brenda shtetit të Serbisë, është zgjedhje e popullit të Serbisë dhe ata i kanë dhënë legjitimitetin dhe legalitetin të zgjedhurve të tyre”, tha Jahjaga. Reagimi i presidentes erdhi pas pyetjeve të gazetarëve lidhur me mandatarin e ri në Beograd, Ivica Daçiq, ish zëdhënësi i Sllobodan Millosheviqit. “Republika e Kosovës ka një fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e rajonit dhe një fqinjësi të tillë shpresojmë që ta kemi edhe me Republikën e Serbisë, që të kemi marrëdhënie korrekte miqësore edhe me Republikën e Serbisë. Tani jemi duke jetuar në një shekull të ri dhe mesazhi im për Republikën e Serbisë dhe për lidershipin atje është që duhet të pranojnë realitetin e ri”, tha Jahjaga. Ajo tha se nuk ka kthim prapa dhe vetëm në këtë mënyrë, sipas Jahjagës, mund të lëvizim duke përkrahur njëra-tjetrën në rrugën tonë drejt integrimit euroatlantike. Ndryshe, dy presidentët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve dhe theksuan nevojën e thellimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat.