Sport

Diskutohet krijimi i Ligës së Futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovë

Armand Duka ka thënë se krijimi i kësaj lige është i mundur, ndërsa ka folur edhe si do të mund të funksiononte kjo ligë

Që një kohë të gjatë po flitet për krijimin e Ligës së futbollit në mes Shqipërisë dhe Kosovës, derisa për këtë çështje ka folur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, shkruan albinfo.ch.

 

Ai gjatë një ligjërata për studentët ka folur sesi është i mundur krijimi i kësaj lige dhe si do të funksiononte.

 

“E para nuk mund të parashikoj nëse Shqipëria dhe Kosova do të jenë shtete të ndara apo do të jenë bashkë. Unë uroj që të jenë bashkë. Nëse Kosova dhe Shqipëria do të jenë dy shtete, do të kenë dy kampionate me vete, mirëpo kjo nuk e pengon as Kosovën dhe Shqipërinë që të bëjnë një kampionat të tretë apo një organizim që të përfaqësohet nga ekipe të këtyre dy vendeve”, deklaroi Duka.

 

Për këtë çështje është folur edhe me palën kosovare. “Realisht kam filluar ta diskutoj me presidentin e FFK-së dhe ndoshta ka ardhur koha që mund ta bëjmë. Duhet të bëjmë një lloj lige, që me një kompromis mes dy federatave dhe me një kompromis me UEFA-n, të prodhojë një përfaqësues në Evropë (duke hequr pak nga përfaqësimi i Shqipërisë në Evropë dhe pak nga ai i Kosovës) në mënyrë që fituesi i kësaj kupe të shkojë në kualifikueset evropiane, që i sjell edhe përfitime ekonomike dhe e bën interesante. Pa pasur diçka që e bën interesante garën, nuk na duhet. Besoj se do ta realizojmë. Janë projekte që nuk bëhen në një ditë, por kemi nisur ta diskutojmë”, shtoi kreu i FSHF-së.