Lajme

Raporti i Dick Marty-t trondit diasporën shqiptare në Zvicër

Shqiptarët e Zvicrës goditen dyfish: si bashkëqytetarë të atyre që akuzohen dhe të atij që akuzon

Raporti i publikuar ditë më parë nga deputeti dhe ish-prokurori zviceran, Dick Marty, anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka shkaktuar tronditje jo të vogël në mesin e bashkatdhetarëve tanë në Zvicër. Mund të thuhet se shqiptarët që jetojnë në këtë vend janë dyfish të goditur: një herë si bashkëkombës të atyre që akuzohen dhe, herën tjetër, si bashkëqytetarë të atij që akuzon!Për të përftuar një ide për atë se si e përjetojnë shqiptarët këtë gjendje, albinfo.ch ka anketuar disa bashkatdhetarë tanë, pjesëmarrës aktivë në jetën shoqërore, publike e politike të Zvicrës. Meqë pezullimi i përkohshëm nga Micheline Calmy Rey për marrjen e çmimit “Diaspora” ka ardhur si pasojë e turbulencave që shkaktoi raporti “Marty”, të anketuarit kanë dhënë mendimin e tyre edhe për këtë çështje.

Ylfete Fanaj: qeveria kosovare duhet të jetë e hapur dhe të bashkëpunojëPër Ylfete Fanaj, e cila përfaqëson të rinjtë e gjeneratës së dytë me prejardhje të huaj në Zvicër (second@s plus), raporti i Dick Martyt ka shqetësuar komunitetin shqiptarë.“Prej se është lansuar në opinion raporti i Dick Martyt, unë për çdo ditë kam dëgjuar shqetësimet e komunitetit tim se po prishet imazhi i shqiptarëve me akuza ende të pavërtetuara”, thekson Fanaj.Ajo thotë të mos ketë sjellë risi raporti i Dick Martyt. Për këtë çështje, sipas saj, është diskutuar edhe më parë.Delegatja e Partisë Socialdemokrate në Parlamentin e Lucernit, Ylfete Fanaj, i ka sugjeruar qeverisë kosovare të jetë e hapur dhe të bashkëpunojë me mekanizmat ligjorë ndërkombëtarë që e vërteta të dalë në shesh.Ndërsa, sa u përket reagimeve të disa deputetëve zviceranë se duhet të tërhiqet njohja nga Zvicra për Kosovën, të tërhiqet ambasadori zviceran nga Kosova, si dhe  ushtria zvicerane, këto janë vetëm reagime të rrepta dhe të ngutshme dhe kanë përmasa shqetësuese për të dy vendet.Për refuzimin e përkohshëm të „Çmimit Diaspora“, ajo ka thënë se data e caktuar për dhënien e këtij çmimi ka qenë e rastësishme me publikimin e raportit të Dick Martyt. Fanaj e ka arsyetuar kryetaren e Konfederatës zvicerane, Calmy – Rey, duke theksuar se një vendim i tillë është adekuat në këtë fazë, siç e quan ajo “turbulente”, për një solemnitet të tillë.“Nuk duhet të kuptohet nga diaspora kosovare se mikja e Kosovës, Calmy-Rey, na e ka kthyer shpinën. Duke e njohur të gjithë personalitetin e zonjës Calmy-Rey, jam e bindur se do të vazhdojë angazhimi i saj për popullin e Kosovës”, ka thënë Ylfete Fanaj.

Hilmi Gashi: Edhe ata pak miq që i kemi në Zvicër, mund të na largohen!Hilmi Gashi, publicist, aktivist politik dhe funksionar sindikal, thotë se në të mirë të të vërtetës do të ishte që Marty t`i prezantonte provat, të cilat, siç beson ai, nuk i posedon. Dick Marty  ka prezantuar një raport që nuk ndriçon asgjë. Është një radhitje e thashethemeve akuzuese, të iniciuara nga mikja e tij, Carla del Ponte.“Nëse Marty ka prova, atëherë duhet t’i prezantojë ato. Ai me këto akuza njollos UÇK-në dhe luftën çlirimtare të popullit të Kosovës”, ka thënë Gashi.Gashi vlerëson se Qeveria e Kosovës përgjithësisht ka reaguar me gjakftohtësi lidhur me rastin. “Nuk jam i sigurt nëse kërcënimi me ngritjen e padisë ndaj z. Marty ka qenë i nevojshëm. Ky është marrë si shkas nga disa medie për të parashtruar pyetjen nëse jeta e z. Marty është e rrezikuar”, tërheq vërejtjen Hilmi Gashi.Ai po ashtu arsyeton pezullimin e përkohshëm që i është bërë marrjes së Çmimit “Diaspora” nga Calmy Rey. “Vendimin e saj e kuptoj. Ajo nuk ka mundur të vepronte ndryshe, sepse kundërshtarët e saj politikë, sidomos Christoph Mörgeli, nuk pushojnë së sulmuari z. Calmy Rey. Ai dhe disa eksponentë të SVP-së dhe partive të tjera të djathta e akuzojnë për iniciativën e saj për njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

Hilmi Gashin e shqetëson më shumë publiciteti që, sipas tij, po i bëhet në mediet e këtushme raportit të Marty-t. “Edhe pse Marty nuk sjell dëshmi konkrete, akuzave të tij monstruoze u është dhënë hapësirë e madhe në opinion. Dëmi për Kosovën, shqiptarët dhe institucionet e Kosovës është i madh. Nga ky raport vuan edhe diaspora, e cila edhe një herë më shumë duhet të arsyetohet përballë një opinioni, i cili edhe ashtu nuk është shumë miqësor ndaj saj”, shprehet sindikalisti Gashi.

Ai më tutje shpreh frikën se “edhe ata pak miq të cilët i kemi në Zvicër, nga frika për imazhin e tyre, mund të largohen prej nesh”.

Osman Osmani: Shqetëson fakti se ky raport stimulon kundërshtarët e pavarësisë së KosovësOsman Osmani, aktivist politik, ish-deputet në kantonin e Shafhauzenit, aktualisht funksionar sindikal, zellin e Dick Marty-t të treguar në këtë raport e sheh edhe nga një aspekt tjetër, nga aspekti i antiamerikanizmit të tij dhe thirrjes së tij të shpallur në vlerat dhe parimet njerëzore. “Cilat janë motivet e tij (në rastin e Kosovës) mundemi vetëm të spekulojmë: Antiamerikanizmi apo parimet dhe vlerat njerëzore”, pyet Osmani dhe provon të gjejë përgjigjen.“Në faqen e tij të internetit, Marty merr në mbrojtje diktatorin gjakatar Slobodan Milosheviq dhe mekanizmat e shtetit serb. Po të kishin vlerat njerëzore një kuptim për të, atëherë si mund të vlerësohet fakti se ai asnjëherë nuk ngriti zërin kundër masakrave dhe dëbimin e fundit të njohur botërisht kundër shqiptarëve nga shteti dhe institucionet serbe…”E gjithë kjo, sipas Osmanit, e vë në pikëpyetje seriozitetin e tij si person dhe çdo tentativë e tij përjetohet si tendencioze dhe antishqiptare. “Raportin e Dick Martyt në këtë kohë unë e shoh si sulm të koordinuar të qarqeve antishqiptare dhe të kundërshtarëve të proceseve demokratike në Kosovë, kur e dimë se tani zhvilloheshin procese që shoqërinë në Kosovë do ta demokratizonin më tej”. Por, ajo që e shqetëson më tepër z. Osmani është ushqimi që u dha kjo aferë kundërshtarëve të Kosovës. “Ky raport u dha shkas edhe disa politikanëve të njohur si antishqiptarë dhe armiqve e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës që të kërkojnë edhe rishqyrtimin e njohjes së pavarësisë nga Zvicra zyrtare.

Asnjëherë në raport me asnjë vend dhe shoqëri diktatoriale dhe shtypëse këta persona nuk u dëgjuan të vejnë në pikëpyetje apo të kërkonin prishjen  e marrëdhënieve ndërshtetërore. Këta farë politikanësh harrojnë se shqiptarët dhe zviceranët kanë një të ardhme të përbashkët, (Evropën) dhe çka nuk duhet harruar kurrsesi, kanë fëmijë, nipa e mbesa të përbashkët…”, përfundon Osman Osmani.

Xhemal Ahmeti: Shtyrja e marrjes së “Çmimit Diaspora”, preventivë ndaj sulmeve politikePublicisti dhe kryeredaktori i gazetës “Fakti Ditor“ në Diasporë, Xhemal Ahmeti, duke komentuar raportin e Dick Martyt, ka thënë se qeveritë e dy vendeve të akuzuara nuk do të ishte keq të formulonin një padi penale në Tiçino dhe Strazburg kundër Martyt dhe Del Pontes.Sipas Ahmetit, është e palejueshme që dy persona vazhdimisht të destabilizojnë politikat e jashtme e të brendshme të shteteve kur t’iu teket atyre pa pasur fakte.“Dhe po e bënë qeveritë punën e tyre si duhet, jam i sigurt se do të fitojnë proceset”, thotë për albinfo.ch  Ahmeti.

Ndërsa sa i përket pezullimit të përkohshëm të çmimit “Diaspora”\ nga Calmy Rey, Ahmeti ka thënë se kryetarja e Konfederatës Zvicerane, Calmy – Rey, e ka marrë këtë vendim ngase aktualisht gjendet nën një presion dramatik.

Sipas tij, kjo ka ndodhur jo për arsye të shqiptarëve. Por për shkaqe që kanë të bëjnë me politikën e brendshme zvicerane. “Ajo e njeh Del Ponten (të cilën e ka edhe nëpunëse) dhe Dick Martyn dhe i di më mirë qëllimet dhe lidhjet e tyre. Ajo e ka lexuar raportin dhe e di se aty gjithçka ka mbetur në nivelin e shpifjeve, sepse Marti nuk e dëshmon asgjë që e presupozon. Ajo e di  gjithashtu se ambasada i jep asaj çmimin në emrin tonë, ne që jetojmë këtu, prandaj edhe titullohet “Çmimi Diaspora”. Dhe këtë ne e bëjmë në shenjë falënderimi ndaj saj dhe Zvicrës për shumëçka që ka bërë për Kosovën”, ka thënë Ahmeti.

Sipas publicistit Ahmetit, shtyrja e pranimit të çmimit është një preventivë ndaj sulmeve eventuale politike. Ai është shprehur i bindur se Calmy Rey do ta pranojë “Çmimin Diaspora”.

Jeton Kryeziu: “Raporti i Dick Martyt, jashtëzakonisht i varfër në fakte”

Për Jeton Kryeziun, avokat me profesion si dhe pjesëtar i gjeneratës së dytë, “raporti i Dick Marty nuk i sulmon dhe nuk i ka në shënjestër vetëm autorët e dyshuar për trafikim të organeve apo krime të tjera, por i vë në pyetje po ashtu edhe organizata, personalitete politike si dhe qeveri të huaja”. Për të, “kritika kryesore që mund t’ i bëhet raportit në fjalë është varfëria e jashtëzakonshme në fakte. Në realitet, akuzat që i përmban ky raport patjetër duhet të bazohen në elemente të dëshmive të pakontestueshme, sikurse dokumente, video, foto (sikurse në rastin e masakrave në Srebrenicë apo në Reçak). Kjo është baza e ndërtimit dhe konstituimit të një dosje penale me ngarkesë”.

Për të, dokumenti në fjalë “përmend dhe kritikon mënyrën e furnizimit me armë dhe municione të UÇK-së dhe atë me të vetmin qëllim që të dëshmojë se UÇK-ja ka funksionuar në mënyrën e një organizate mafioze. Po të mos e dija se ky raport buron nga D. Marty, do t’ia kisha atribuuar një autori serb”.

Ai po ashtu e vë theksin mbi çështjen e mungesës së provave: “Raporti i Dick Martyt flet për dëshmi të shkatërruara, mirëpo që të mundemi t’ia akordojmë ndonjë kredibilitet, i takon atij, dhe kjo është puna më e vogël që mund të kërkohet, së paku t’ i përmendë për çfarë dëshmish flet ai dhe çka mund të vërtetojnë dëshmitë në fjalë. Për fund, raporti i Dick Martyt nuk më duket serioz”.

Sa i përket qëndrimit të Qeverisë kosovare, sipas avokatit Kryeziu, “në kontekstin aktual, d.m.th. pa pasur prova konkrete të ndonjë krimi, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme mbi këtë raport dhe ta ftojë Z. Marty që të prodhojë elemente të dëshmive, dhe nëse ka të tilla, dhe se ky i fundit i sjell ato, të inkurajojë hapjen e një ankete të thelluar për ta zbardhur të tërë të vërtetën mbi akuzat në fjalë. Do të duhet të përfitohet nga kjo valë për të zbuluar poashtu fatin e shqiptarëve të zhdukur deri më këtë ditë, ose qe mbi 10 vite.

Ndaj çështjes së shtyerjes së çmimit, për Kryeziu, “nga pikëpamja politike, mund ta kuptojë vendimin e saj, sidomos kur është objekt i kritikave nga kundërshtarët e saj politikë që do të kanë kënaqësi ta kritikojnë. Nga pikëpamja rreptësisht juridike, vendimi i shtyrjes është për keqardhje. Së pari, në emër të supozimit të pafajësisë së personave të verë në pyetje, së dyti, nga fakti se çmimi në fjalë që do ti ndahet, është formalisht një iniciativë private dhe jo-shtetërore (pavarësisht prezencës apo jo të Ambasadorit Naim Malaj) ».Nazmi Jakurti: Raporti, jorastësisht, vjen në një kohë të ndjeshme për Kosovën

Ndërsa Nazmi Jakurti, funksionar sindikal dhe mediator social, fokusohet me shumë në dëmin politik që shkakton raporti “Marty” në kohën kur ai është lansuar. “Mendoj se raporti është i motivuar politikisht dhe, jorastësisht vjen në një kohë jashtëzakonisht të ndjeshme për Kosovën.

Sa i përket përmbajtjes, raporti nuk sjell asgjë të re. Aty vetëm sa përsëriten akuzat e shërbimeve sekrete serbe dhe pjesë nga libri i zonjës Carla del Ponte. Kjo e fundit si ish- prokurore e Tribunalit të Hagës ka pasur mundësi të niste hetimet po të ekzistonin prova për këto akuza”. Përpos kësaj, thotë Jakurti, për këto insinuata tashmë janë bërë hetime nga instanca të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare dhe të gjitha kanë rezultuar si të pabaza.

Nazmi Jakurti apelon për veprim më këmbëngulës të institucioneve kosovare për zbardhjen e këtij problemi. “Institucionet e Kosovës duhet të insistojnë me ngulm që kjo çështje të ndriçohet një herë e përgjithmonë dhe përgjegjësit (nëse vërtetohet fajësi) të përgjigjen para drejtësisë, në të kundërtën, të kërkohet përgjegjësi nga shpifësit. Nuk mund të mbetet një popull i tërë dhe shteti ynë i ri peng i këtyre lojërave politike”, përfundon Jakurti.

Edhe ai arsyeton plotësisht pezullimin aktual të marrjes së çmimit “Diaspora” nga zonja Calmy Rey. “Dhënia e çmimit “Diaspora” zonjës Calmy Rey dhe raporti i Dick Martyt janë dy gjëra të ndara, mirëpo jehona e jashtëzakonshme mediale e raportit ka krijuar një klimë të tensionuar edhe në politikën zvicerane. Andaj, mendoj se është vendim i arsyeshëm i Ministrisë së Jashtme të Zvicrës që këtë akt solemn ta mbajmë në një atmosferë më të relaksuar politike”, thotë mediatori Jakurti.

Ai pastaj ka një mendim më specifik lidhur me reagimin e opinionit zviceran rreth raportit. “Opinioni zviceran është shumë i ndjeshëm në çështjen e të drejtave të njeriut. Kjo ndjeshmëri arrin kulmin në ditët para krishtlindjeve. Andaj, akuzat për vepra aq makabre (si ato që përmban raporti i Martyt) e kanë trazuar thellë shpirtin human të zviceranëve. Shtypit të verdhë dhe qarqeve të caktuara politike u vjen ky raport si i porositur!”, thotë Nazmi Jakurti.