Koronavirusi: çast pas çasti

Mesazhi prekës i mjekut italian: Lufta nuk kalohet me panik

Teksti i përkthyer i Dr. Daniele Macchinit

Teksa COVID-19, ose koronavirusi, po përhapet në të gjithë Evropën, reagimet ndaj tij janë të ndryshme, shkruan Forumi Ekonomik Global. Udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) nënvizojnë seriozitetin e situatës dhe disa punëdhënës nxisin njerëzit të punojnë nga shtëpia, por për shumë njerëz të tjerë, jeta thjesht vazhdon si normalisht.

Por një mjek, i cili është në zemër të shpërthimit në Bergamo, në veri të Italisë, ka dalë shpeshherë në rrjetet sociale, duke dhënë mesazhe ndërgjegjësimi mbi situatën që po kalon vendi i tij dhe veçanërisht qyteti ku ndodhet, dhe mbi të gjitha duke thënë se ky nuk është aspak momenti i duhur për të pasur siguri të lartë.

Në momentin kur u publikua ky shkrim, e gjithë Italia ishte nën masa të rrepta karantine. Ajo po lufton çdo sekondë për të minimizuar në maksimum përhapjen e virusit që ka infektuar më shumë mijëra personave dhe u ka marrë jetën mbi 1 mijë personave.

Sipas OBSH-së, një e pesta e personave të infektuar kanë nevojë për trajtim spitalor, dhe fatkeqësisht kjo shifër do të ishte e mjaftueshme për të tejmbushur sistemet e kujdesit shëndetësor, edhe pse virusi po vijon të përhapet.

Dr. Daniele Macchini, mjek i Njësisë së Kujdesit Intensiv në Bergamo, një qytet afër Milanos, ndau përvojën e tij të punës në një spital ku stafi i rraskapitur i mjekëve dhe infermierëve po luftojnë kundër virusit për të shpëtuar jetën e pacientëve. Postimi i tij në Facebook u publikua në një gazetë italiane dhe u përkthye në Twitter nga Dr. Silvia Stringhini, një epidemiologe dhe studiuese në Institutin e Shëndetit Global të Universitetit të Gjenevës, transmeton Monitor, përcjell albinfo.ch.

Ashtu siç do të lexoni edhe më tej, 80% e njerëzve me koronavirus përjetojnë simptoma të lehta, por një formë akute e sëmundjes mund të çojë në pneumoni kërcënuese për jetën. Të moshuarit janë veçanërisht më të prekurit.

Më poshtë është teksti i përkthyer i Dr. Daniele Macchinit:

“Pasi u mendova shumë në lidhje me ato që duhet të shkruaja sa i takon situatës që po përjetojmë, u binda se duke qëndruar në heshtje, padyshim që ne nuk mund ta luftojmë atë.

Prandaj do të përpiqem t’u përcjell të gjithë njerëzve që janë larg realitetit tonë atë që ne po përjetojmë në Bergamo në këto ditë të pandemisë Covid-19. Unë e kuptoj nevojën për të mos krijuar panik dhe absolutisht nuk dua të krijoj këtë gjë, por kur mendoj se mesazhi i rrezikshmërisë së asaj që po ndodh nuk ka mbërritur ende te njerëzit, thjesht tronditem shumë.

Unë jam i pari që e pranoj punën e mahnitshme të stafit spitalor në riorganizimin e këtij të fundit dy javë më parë, kur armiku ynë i përbashkët qëndronte ende në hije. Repartet e ndryshme filluan të zbrazen dalëngadalë, u ndërprenë të gjitha aktivitetet zgjedhore dhe dhomat e spitalit intensiv u boshatisën për të liruar sa më shumë shtretër të jetë e mundur.

I gjithë ky shndërrim i shpejtë krijoi një atmosferë heshtjeje dhe zbrazëtie surrealiste në korridoret e spitalit, të cilën askush prej nesh nuk e kuptonte fillimisht, duke pritur një luftë që nuk kishte filluar ende dhe që shumë prej nesh (përfshirë edhe mua) nuk ishin aq të sigurt se do të vinte dhe do të përhapej me një egërsi të tillë.

Ende e mbaj mend pritjen time për të vërtetuar nëse një prej rasteve të ekzaminuara do të rezultonte apo jo pozitiv. Kur mendoj për atë moment dhe ankthin që përjetova për një rast të vetëm, më duket një reagim qesharak dhe i pajustifikueshëm, duke parë se si u shndërrua situata disa javë më vonë. Të thuash se situata aktuale është dramatike, është shumë pak.

Lufta ka shpërthyer dhe betejat për ta fituar atë po zhvillohen në mënyrë të pandërprerë ditë e natë. Por tani, nevoja për shtretër ka arritur kulmin. Njëri pas tjetrit, të gjithë departamentet që ishin zbrazur u mbushën me një ritëm shokues.

Njësitë me emrat e pacientëve, me ngjyra të ndryshme në varësi të njësisë operative, tani janë të gjitha të kuqe dhe fatkeqësisht me të njëjtën diagnozë të mallkuar: Pneumoni intersticiale.

Tani, a mund të më shpjegojë dikush se çfarë lloj gripi është ai që shkakton një dramë të tillë në nivel global? (sepse të shumtë kanë qenë personat që e kanë krahasuar COVID-19 me gripin sezonal). Dhe teksa ka ende njerëz që mburren se nuk kanë frikë duke injoruar udhëzimet, duke protestuar sepse rutina e tyre zakonshme është “përkohësisht” në krizë, katastrofa epidemiologjike po ndodh.

Dhe nuk ka më kirurgë, urologë, ortopedë, ne jemi vetëm mjekë që befas bëhen pjesë e një ekipi të përbashkët për t’u përballur me këtë cunam që po na ezauron në maksimum.

Rastet po shumohen, ne kemi arritur në një normë prej 15-20 pranimesh në ditë dhe të gjitha për të njëjtën arsye. Rezultatet e testeve tani dalin njëra pas tjetrës: pozitive, pozitive, pozitive. Kjo është shkatërruese.

Arsyet e pranimit janë gjithmonë të njëjta: ethe dhe vështirësi në frymëmarrje, ethe dhe kollë, vështirësi të rrugëve të frymëmarrjes. Radiologjia raporton gjithnjë të njëjtën situatë: pneumoni bilaterale intersticiale, pneumoni bilaterale intersticiale, pneumoni bilaterale intersticiale. Të gjitha janë raste që duhen shtruar në spital.

Dikush duhet të intubohet menjëherë dhe të shkojë në repartin e kujdesit intensiv. Për të tjerët është tepër vonë … Sigurimi me pajisje respiratore është vështirësia më e madhe me të cilën ne po përballemi. Të gjithë teatrot që i kanë pezulluar aktivitetet e tyre janë shndërruar në ambiente të kujdesit intensiv, që nuk ekzistonin më parë.

Stafi është i rraskapitur. Lodhja në fytyrat e tyre është tashmë diçka që nuk mund të fshihet. Por së bashku me të, unë pashë edhe një solidaritet që nuk u mposht edhe në këto ditë të vështira, ku secili prej kolegëve tanë pyeste tjetrin: Me çfarë mund të të ndihmoj?

Mjekë që lëvizin shtretër dhe transferojnë pacientë, mjekë të cilët administrojnë terapi në vend të infermierëve. Infermierë me lot në sy sepse jo të gjithë pacientët mund të shpëtohen dhe parametra jetësorë të disa pacientëve që paracaktojnë fatin e tyre.

Nuk ka më turne për mjekët. Jeta sociale nuk ekziston më për momentin për ne. Ne nuk i shohim më familjet tona nga frika se mos i infektojmë ato. Disa prej nesh tashmë janë infektuar pavarësisht protokolleve të ndjekura.

Disa nga kolegët tanë të infektuar gjithashtu kanë të afërm të infektuar dhe disa të afërm të tyre tashmë po luftojnë midis jetës dhe vdekjes. Prandaj, tregohuni të durueshëm, nuk mund të shkoni në teatër, muze apo palestër. Mundohuni të keni mëshirë jo vetëm për veten por edhe për të tjerët, sidomos për ata që janë më të prekshmit nga ky virus.

Ne thjesht po përpiqemi të jemi sa më të dobishëm. Ju duhet të bëni të njëjtën gjë: ne kemi në dorë jetën e vetëm disa njerëzve. Ndërsa ju atje jashtë ndikoni në më shumë jetë sesa kaq. Ju lutemi ndajeni këtë mesazh. Ne duhet ta shpërndajmë kudo këtë mesazh, për të parandaluar edhe në vende të tjera, këtë situatë me të cilën po përballet Italia.

Po e mbyll duke thënë se kjo luftë nuk fitohet duke kaluar në panik. Arsyeja e vetme që për mua mund të përbëjë panik është mungesa e maskave, por fatkeqësisht tashmë nuk ka më maska në shitje. Ne nuk kemi shumë studime, por padyshim që paniku nuk do të jetë aspak ndihmues në një situatë si kjo e këtij lloji.