Integrimi

“Martesa me detyrim”, temë tabu

Të dielën në Bernë, IMD dhe Solidar Suisse kanë mbajtur dy workshope që kanë rrahur temat “Martesat e detyruara dhe “sistemi shëndetësor”

© albinfo.ch: Fjolla Hoxha

Për Fjolla Hoxhën, studente e drejtësisë në Lozanë, pjesëmarrja në punëtorinë “Martesat e detyruara” në kuadrin e projektit “Diaspora për zhvillim” ka tejkaluar pritjet që ka pasur. “Këtu kemi pasur rast të këmbejmë mendime për gjëra që ndoshta më parë nuk jemi thelluar, edhe pse të gjitha këto duken kaq të njohura për ne”, thotë Fjolla. “Kemi shkëmbyer njohur dhe përvoja, kemi dëgjuar histori interesante lidhur me temën dhe kemi propozuar zgjidhje për problemet e shtruara”. Ajo më tutje shton se thellimi në këtë tematikë lidhet edhe me profesionin e saj të ardhshëm si juriste. “Problemeve u jemi qasur në mënyrë mjaft konkrete dhe mund të them se zgjidhjet e propozuara këtu vërtet do të shërbejnë si udhëzime për projektet e ardhshme”, përfundon ajo.

Në një sondazh të IMD, (Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim) të publikuar kohë më parë në albinfo.ch, martesat e detyruara dhe mangësitë në sistemin shëndetësor kanë qenë dy ndër temat e identifikuara si problematike në qasjen e mërgimtarëve me vendin e prejardhjes. Për të shoshitur këto tema, të dielën në Bernë, IMD dhe Solidar Suisse kanë mbajtur dy workshope (punëtori) me pjesëmarrje të punëtorëve socialë, mjekëve, studentëve e aktivistëve tjerë të mërgatës shqiptare.

© albinfo.ch: Barbara Burri

Puna është drejtuar nga kryesusesi i projektit “Diaspora për zhvillim” Elbasan Morina, përfaqësuesit e Solidar Suisse Barbara Burri e Christoph Baumann pastaj Shpresa Kastrati dhe Rudina Heroi nga “Diaspora për Zhvillim”.

Punëtori social, kryetar i bashkësisë së zyrave të Zvicrës për integrim, Hamit Zeqiri ka përmbledhur punën e kryer nga grupi për martesa të detyruara. Ai ka shkoqitur propozimet e dala për zgjidhjen e problemeve të identifikuara në këtë fushë.

© albinfo.ch: Hamit Zeqiri

Zeqiri ka thënë veç tjerash se sot ka mjerisht ende probleme serioze në të kuptuarit e barazisë gjinore në Kosovë. Në këtë kontekst ai ka theksuar mospërfshrjen e femrave në të drejtën e trashëgimisë. “Ajo që brengos shumë është se edhe në Prishtinë, në qarqet “intelektuale” një temë si kjo është tabu. Madje, trajtimit të saj i ikin edhe mediet, për shkak të rezervave që kanë meshkujt për këtë temë atje”.

Martesat e detyruara apo ato të aranzhuara, ka thënë ai, kanë pikënisjen në mentalitetin që prindërit u preferojnë ose edhe u urdhërojnë fëmijëve të tyre që të martohen me bashkatdhetarë.

Ndërkaq Zeqiri ka shpalosur propozimet e dala nga punëtoria, për të sensibilizuar më mirë opinionin me problemet ekzistuese lidhur me martesat e detyruara.

Realizimi i emisioneve televizive, publikimi i broshurave e fletëpalosjeve, shpërndarja e tyre te të gjithë ata që vijnë për tu martuar e jetuar në Zvicër etj., janë disa nga masat e propozuara.

© albinfo.ch: Naser Morina

Edhe punëtoria mbi mangësitë në sistemin shëndetësor ka identifikuar një mori problemesh që mundojnë shoqërinë kosovare dhe që rrjedhimisht dalin si pengesë edhe për mërgimtarët në raport me Kosovën. Për psikologun Naser Morina, pjesëmarrës në këtë punëtori, vetë organizimi i saj është një e arritur. Por ai dyshon se kur të vijë puna për zbatim praktik do të ketë gatishmëri për një gjë të tillë.

“Lidhur me sistemin shëndetësor të Kosovës duhet t`i dentifikojmë ku janë problemet dhe pastaj të shohim ku janë mundësitë që ne, si mërgimtarë të ndihmojmë për zgjidhjen e tyre. Kjo ndihmë mund të shprehet në transferin e diturisë, në shkëmbimin e informatave etj. Por pyetja më me rëndësi është se sa janë të realizueshme të gjitha këto. Çështja është se sa janë të gatshëm në Kosovë, për një bashkëpunim të tillë. Mendoj se nga ana e Kosovës ekziston edhe frika nga konkurrenca. Ndërsa nga ana e diasporës është problemi se sa ajo është e gatshme për këtë shkëmbim. Thjesht a i shpaguhet apo jo!”, shpreh rezervat e tij Morina.

Kryesuesi i projektit “Diaspora për zhvillim”, Elbasan Morina, thotë se në tryezat e mbajtura këto dy ditë ka pasur një debat intensiv dhe është treguar një nivel i kënaqshëm profesional, për të katër temat që u rrahën. “Dolën shumë konkluzione konkrete që do të trajtohen edhe në tryezat e njejta që do të organizohen në Kosovë në muajin korrik. Në gusht mendohet të realizohet një punëtori e përbashkët me pjesëmarrës të diasporës dhe të Kosovës ku do të shihgen ngjashmëritë dhe dallimet në perceptimin e problemeve për të ecur më tutje në zgjidhjen e tyre”, thotë Morina.

Ndërsa lidhur me projektin “Diaspora për Zhvillim” si tërësi, Morina konstaton se ai, në muajin e gjashtë të ekzistimit po gëzon një përkrahje të madhe si nga diaspora në Zvicër ashtu edhe nga autoritetet dhe shoqëria në Kosovë. “Tri pilot komunave sa ishin në fillim (Gjilani, Suhareka dhe Kamenica) u janë bashkuar edhe tri të tjera, të cilat kanë hapur zyrat ndërlidhëse për diasporën. Fjala është për Rahovecin, Vitinë dhe Obiliçin”, përfundon Morina.

Foto galeri