Fëmijët shqiptarë në Landquart të kantonit Graubünden kanë tashmë një hapësirë të re ku mund të mësojnë gjuhën shqipe. Në këtë komunë është hapur një pikë e re mësimore e Shkollës Shqipe në Zvicër, ku mësimi do të zhvillohet rregullisht çdo javë, transmeton albinfo.ch.
Mësimi zhvillohet çdo të premte, nga ora 16:00 deri në 18:00, në Schulhaus Ried, klasa B13, në adresën Schulstrasse 75 në Landquart.
Hapja e kësaj klase u krijon familjeve shqiptare të Landquartit dhe zonave përreth mundësinë që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin në gjuhën amtare në mënyrë të organizuar. Përmes orëve mësimore, nxënësit mësojnë të lexojnë, të shkruajnë dhe të përdorin më mirë gjuhën shqipe.
Shkolla Shqipe e lidh mësimin e gjuhës amtare edhe me njohjen e kulturës dhe prejardhjes së nxënësve. Sipas materialeve informuese të shkollës, mësimi i gjuhës së parë synon t’i ndihmojë fëmijët të ruajnë lidhjen me identitetin e tyre kulturor, ndërsa njëkohësisht të integrohen në shoqërinë zvicerane.
Në këtë proces rëndësi i kushtohet edhe rolit të prindërve. Hapja e pikës së re në Landquart është mundësuar me angazhimin e prindërve dhe veprimtarëve Irfan Saqipi dhe Salih Aliu, të cilët kanë kontribuar në krijimin e kushteve për funksionimin e klasës.
Në organizimin dhe zgjerimin e pikave të mësimit shqip në Zvicër është angazhuar ndër vite edhe Dr. Vaxhid Sejdiu, i cili ka marrë pjesë në hapjen dhe mbështetjen e pikave të ndryshme të Shkollës Shqipe në vend.
Për familjet shqiptare që jetojnë në Zvicër, ruajtja e gjuhës amtare mbetet një nga sfidat e rëndësishme në rritjen e brezave të rinj. Mësimi i organizuar i shqipes u mundëson fëmijëve që gjuhën e dëgjuar në familje ta zhvillojnë edhe përmes leximit, shkrimit dhe mësimit të rregullt.
Me hapjen e klasës në Landquart, rrjeti i pikave të Shkollës Shqipe në Zvicër zgjerohet edhe në këtë pjesë të kantonit Graubünden, duke u ofruar familjeve shqiptare një mundësi shtesë për edukimin e fëmijëve në gjuhën e tyre amtare./Albinfo.ch