Lajme

Përleshje në një hotel në Zvicër, plagoset me thikë 24-vjeçari nga Kosova

Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar për lidhje me incidentin në Dällikon të Cyrihut; rrethanat e përleshjes ende po hetohen.

Një 24-vjeçar nga Kosova është plagosur me thikë gjatë një përleshjeje në një hotel në Dällikon të kantonit të Cyrihut, ndërsa lidhur me rastin janë arrestuar tre persona, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje. Pak para orës 18:00, shërbimet emergjente janë njoftuar nga një kalimtar për një person të plagosur në Regensdorferstrasse.

Në vendngjarje kanë mbërritur pjesëtarë të policisë, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit deri në ardhjen e ekipit mjekësor. 24-vjeçari më pas është transportuar në spital, ku është trajtuar për lëndime të shkallës së mesme në krah dhe në pjesën e sipërme të trupit.

Sipas gjetjeve fillestare të hetimit, plagët dyshohet se janë shkaktuar me thikë gjatë një konflikti që kishte nisur në një dhomë të hotelit.

Për zbardhjen e rastit, Policia Kantonale e Cyrihut ka angazhuar një numër të madh zyrtarësh, ndërsa në operacion kanë marrë pjesë edhe njësi të tjera policore. Ekspertët mjeko-ligjorë kanë kryer ekzaminimet në vendin e ngjarjes dhe kanë mbledhur prova që mund të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave.

Në kuadër të hetimeve janë arrestuar tre persona, dy prej të cilëve nga Policia Kantonale e Cyrihut dhe një nga Policia Kantonale e Schaffhausen.

Bëhet fjalë për dy shtetas suedezë dhe një shtetas slloven, të moshës 20 deri në 33 vjeç. Autoritetet dyshojnë se ata kanë lidhje me incidentin.

Megjithatë, rrethanat e sakta dhe mënyra se si ka ndodhur përleshja ende nuk janë bërë të qarta. Hetimet po udhëhiqen nga Policia Kantonale e Cyrihut në bashkëpunim me prokurorinë përgjegjëse për rastet e rënda të dhunës./Albinfo.ch