Kontrollet e Doganës gjermane kundër punës së padeklaruar kanë çuar në zbulimin e dy rasteve të punësimit pa dokumentacionin e nevojshëm në zonën e Göttingenit, transmeton albinfo.ch.
Gjatë një kontrolli në një kantier ndërtimi në rrethin e Göttingenit, zyrtarët identifikuan një shtetas shqiptar, i cili, sipas autoriteteve, po punonte pa lejen e nevojshme të qëndrimit dhe punës në Gjermani.
Verifikimi i të dhënave të tij nxori në pah edhe një tjetër çështje. Autoritetet konstatuan se ndaj shqiptarit ekzistonte një urdhër arresti për vepra penale të lidhura me narkotikët.
Pas kësaj, ai u arrestua dhe u dërgua në një stacion policor.
Në kuadër të të njëjtit operacion kontrolli, zyrtarët zbuluan edhe një shtetas moldav, i cili po punonte në një servis automjetesh në Göttingen pa dokumentacionin e kërkuar.
Rasti është pjesë e kontrolleve të zhvilluara nga njësia e Doganës gjermane përgjegjëse për luftimin e punës së padeklaruar në qytetin dhe rrethin e Göttingenit.
Autoritetet kanë nisur procedura penale ndaj dy punëtorëve, por edhe ndaj punëdhënësve të tyre.
Për shtetasin shqiptar, përveç procedurave që lidhen me urdhrin e arrestimit, pritet të ketë edhe pasoja në aspektin e qëndrimit në Gjermani. Autoritetet e migracionit do të shqyrtojnë masat e mëtejshme lidhur me statusin e tij të qëndrimit në vend./Albinfo.ch