Në Kroaci, situata më problematike është raportuar në autostradën A6, në segmentin Rijeka–Zagreb. Në viaduktin Zečeve Drage, automjetet kanë mbetur për një kohë të gjatë në kolona, pa mundësi lëvizjeje. Sipas raportimeve të portalit kroat Index, disa kamionë pa pajisjet e nevojshme dimërore kanë mbetur të bllokuar, duke penguar edhe kalimin e automjeteve për pastrimin e borës, njofton albinfo.ch.
Probleme janë raportuar edhe në zonën e Delnicës dhe në rrugën e vjetër përmes Gorski Kotarit. Sipas raportit të Klubit Automobilistik Kroat (HAK), për shkak të kushteve dimërore, në disa segmente është kufizuar qarkullimi, ndërsa automjetet e rënda pa pajisjet përkatëse dimërore nuk lejohen të qarkullojnë në rrugët e prekura.
Vështirësi në qarkullim edhe në Slloveni
Edhe në Slloveni kushtet atmosferike kanë shkaktuar kufizime në komunikacion. Sipas Shoqatës Automobilistike të Sllovenisë (AMZS), era e fortë në autostradën e shpejtë të Vipavës ka sjellë ndalime për disa kategori automjetesh, përfshirë kamperët, kamionët frigoriferikë dhe automjetet me mbulesë pëlhure.
Ndërkohë, në luginën e Vipavës janë raportuar edhe mbyllje të disa rrugëve për shkak të përmbytjeve. Në disa zona, mjegulla ka ulur dukshmërinë, duke kërkuar kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve.
Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve që të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike, të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të mos nisen pa pajisjet e nevojshme dimërore.
Kushtet në rrugët e të dyja vendeve mund të ndryshojnë, prandaj rekomandohet kontrollimi i informacioneve zyrtare të trafikut para nisjes./Albinfo.ch

