Dy mjekë akuzohen se lëshuan qindra vërtetime të rreme për punëtorët e kompanive të ndërtimit, të cilët vazhdonin punën në kantiere. Dëmi financiar ndaj sigurimeve shëndetësore dhe institucioneve shoqërore vlerësohet në mbi 160 mijë euro, transmeton albinfo.ch.
Një skemë e dyshuar mashtrimi me fondet e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore në Gjermani ka çuar para gjykatës katër persona, mes tyre edhe dy drejtues të ndërmarrjeve të ndërtimit me origjinë nga Kosova dhe dy mjekë gjermanë.
Rasti, i cili lidhet me disa kompani ndërtimi në qytetet Bünde dhe Enger, në rajonin e Ostwestfalenit, dyshohet se ka funksionuar përmes lëshimit të vërtetimeve të rreme për paaftësi në punë. Punëtorët figuronin zyrtarisht të sëmurë, por në të vërtetë vazhdonin të punonin nëpër kantiere.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat gjermane, veprimtaria e dyshuar përfshinte tri kompani ndërtimi dhe kishte zgjatur në periudhën nga nëntori i vitit 2015 deri në korrik të vitit 2018.
Qindra raporte mjekësore për një numër të kufizuar punëtorësh
Në këtë skemë dyshohet se ishin përfshirë dy mjekë, një mjek i përgjithshëm 74-vjeçar nga Bünde dhe një psikiatër e neurolog 72-vjeçar nga Gelsenkirchen.
Sipas aktakuzës, psikiatri dyshohet se kishte lëshuar të paktën 86 vërtetime për paaftësi në punë për 18 punonjës të tri kompanive, në më shumë se 42 periudha të sëmundjes.
Ndërkaq, mjeku i përgjithshëm nga Bünde dyshohet se kishte lëshuar 222 vërtetime mjekësore për vetëm 14 persona, të shpërndara në 45 periudha të ndryshme.
Në shumë prej këtyre rasteve, punëtorëve u ishte konstatuar e njëjta diagnozë, përfshirë probleme psikike dhe depresion, ndonëse sipas akuzës nuk kishin qenë realisht të paaftë për punë.
Kartelat e sigurimit mblidheshin para fillimit të punës
Një ish-punonjës i kompanive ka përshkruar para hetuesve mënyrën se si dyshohet se organizohej skema.
Sipas dëshmisë së tij, punëtorët mblidheshin në mëngjes në ambientet e kompanisë, ku para fillimit të punës u merreshin kartelat e sigurimit shëndetësor. Më pas, punonjësit dërgoheshin me radhë te mjekët për të siguruar vërtetime mjekësore, transmeton tutje albinfo.ch.
Pas marrjes së raporteve, ata ktheheshin në kantieret e ndërtimit dhe vazhdonin aktivitetin, megjithëse në dokumentacion figuronin si të paaftë për punë.
Për të shmangur zbulimin e skemës, dyshohet se në disa raste në ordinanca paraqiteshin edhe persona të tjerë, të cilët përdornin kartelat e sigurimit të punëtorëve përkatës.
Ish-punonjësi ka përshkruar edhe një rast kur një grua e re ishte paraqitur te mjeku me kartelën e sigurimit të nënës së saj, dukshëm më të moshuar. Sipas dëshmisë, ajo kishte arritur të siguronte raportin mjekësor.
250 euro për një raport mjekësor
Një nga detajet më të rëndësishme të hetimeve lidhet me pagesat e dyshuara për mjekët.
Sipas dëshmisë së ish-punonjësit, psikiatri nga Gelsenkirchen merrte 250 euro për çdo vërtetim mjekësor të lëshuar. Paratë, sipas tij, i dorëzoheshin mjekut në zarfe.
Ndërkaq, ende nuk është bërë e ditur nëse mjeku tjetër nga Bünde kishte përfituar pagesa të ngjashme.
Në bisedat telefonike të përgjuara nga hetuesit, drejtuesit e kompanive dyshohet se e quanin njërin prej mjekëve me nofkën “Doc Holiday” dhe “mjeku i pushimeve mjekësore”.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se në këtë skemë ishin shfrytëzuar veçanërisht punëtorë të huaj, të cilët nuk e zotëronin mirë gjuhën gjermane dhe ishin vënë nën presion për të bashkëpunuar. Disa prej tyre dyshohet se paguheshin edhe nën nivelin e pagës minimale.
Dëmi financiar kalon 160 mijë euro
Sipas të dhënave të publikuara nga Gjykata Rajonale e Bielefeldit, dëmi i dyshuar përfshin disa kategori përfitimesh të paligjshme.
Përmes pagesave kompensuese për kompanitë, të cilat mbulonin mungesën e punëtorëve të raportuar si të sëmurë, dyshohet se janë përfituar rreth 92 mijë euro, transmeton albinfo.ch.
Ndërkaq, përmes pagesave të kompensimit të sëmundjes për punëtorët, dëmi vlerësohet në më shumë se 72 mijë euro.
Përveç kësaj, nga nëntori i vitit 2016 deri në tetor të vitit 2018, tri kompanitë dyshohet se kishin punësuar persona pa i regjistruar siç duhet në sigurimet shoqërore. Përmes deklarimit të pagave më të ulëta se ato reale, përfshirë pagesa nën pagën minimale, dyshohet se janë shkaktuar edhe mbi 12 mijë euro dëme shtesë.
Procesi gjyqësor ka nisur në Bielefeld
Prokuroria e Bielefeldit ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave: një burri 52-vjeçar dhe një gruaje 39-vjeçare nga Enger, si dhe dy mjekëve 72 dhe 74 vjeç.
Procesi gjyqësor ka nisur më 11 nëntor në Gjykatën Rajonale të Bielefeldit. Për shqyrtimin e rastit janë paraparë gjithsej 12 seanca gjyqësore.
Ky rast vjen pas procedurave të mëparshme gjyqësore ndaj personave të lidhur me kompani të ngjashme në rajonin e Bünde-s, ku autoritetet kishin hetuar edhe më herët dyshime për mashtrime me sigurimet shoqërore.
Të akuzuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./Albinfo.ch