Futboll

Masa të rrepta sigurie për ndeshjen Austri–Kosovë në Vjenë

Policia e Vjenës do të krijojë një zonë të posaçme sigurie rreth stadiumit dhe në pjesë të Praterit, ndërsa tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve të detajuara.

Masa të shtuara sigurie janë vendosur për ndeshjen mes Austrisë dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet të dielën në Vjenë, përcjell albinfo.ch.

Sipas mediave austriake, Policia e Vjenës do të krijojë një zonë të posaçme sigurie rreth stadiumit dhe në pjesë të mëdha të parkut publik të Praterit. Masat do të jenë në fuqi nga ora 10:00 deri në 22:00.

Zona e sigurisë do të përfshijë, ndër të tjera, hapësirat përreth stadiumit, zonën e metrosë dhe Olympiaplatz, ndërsa policia do të ketë kompetenca të shtuara për kontrollin e personave në këtë zonë.

Personat që hyjnë në zonën e ndaluar mund të përballen me gjobë deri në 1 mijë euro. Në rast përsëritjeje, gjoba mund të arrijë deri në 4 mijë e 600 euro.

Policia gjithashtu mund të largojë nga zona personat që konsiderohen potencialisht të rrezikshëm për sigurinë dhe t’ua ndalojë hyrjen në të.

Kontrolle të detajuara do të zhvillohen edhe në hyrje të stadiumit, ku do të kontrollohen tifozët dhe çantat e tyre. Personat që refuzojnë kontrollin nuk do të lejohen të hyjnë në stadium dhe, sipas njoftimit, nuk do të kenë të drejtë për kompensim të biletës.

Ndeshja Austri–Kosovë zhvillohet të dielën në Vjenë, në kuadër të Ligës së Kombeve./Albinfo.ch