Lajme
Dy shtetas të Kosovës në paraburgim në Gjermani, dyshohen për dy zjarrvënie
Njëri prej rasteve po hetohet edhe si tentativë vrasjeje, pasi në shtëpinë e përfshirë nga zjarri ndodhej një 86-vjeçare.
Dy shtetas të Kosovës, 58 dhe 37 vjeç, janë arrestuar në Gjermani dhe ndodhen në paraburgim, pasi dyshohen për përfshirje në dy raste të rënda zjarrvënieje në ndërtesa banimi. Në njërin prej rasteve, hetuesit po shqyrtojnë edhe dyshimin për tentativë vrasjeje, transmeton albinfo.ch.
Hetimet e zhvilluara nga Policia e Ludwigsburgut dhe Prokuroria e Stuttgartit kanë lidhur dy burrat me dy ngjarje të ndara, të regjistruara në nëntor të vitit 2025 dhe mars të vitit 2026.
Rasti i parë ka ndodhur më 11 nëntor 2025, në një apartament në katin përdhes të një ndërtese shumëfamiljare në Brunnenstraße, në Böblingen. Sipas hetuesve, rreth orës 19:15 një banor dëgjoi një shpërthim të fortë dhe më pas vërejti se apartamenti ishte përfshirë nga zjarri.
Flakët prekën edhe pjesën e ballkonit, ndërsa temperaturat e larta shkaktuan thyerjen e xhamave të dritareve. Për arsye sigurie, rreth 28 persona u evakuuan nga ndërtesa dhe dy objekte fqinje. Në këtë rast nuk pati të lënduar, ndërsa dëmi material u vlerësua fillimisht në rreth 50 mijë euro.
Pas hetimeve të mëtejshme, dyshimet e autoriteteve u përqendruan te 58-vjeçari nga Kosova. Sipas policisë, hetimi më pas çoi edhe te një 37-vjeçar, po ashtu shtetas i Kosovës.
Autoritetet dyshojnë se 58-vjeçari mund ta ketë angazhuar 37-vjeçarin për t’i vënë flakën një shtëpie në Jägerholzweg, në Weil im Schönbuch-Breitenstein, më 29 mars 2026.
Në momentin e zjarrit, në banesë ndodhej një grua 86-vjeçare. Ajo u zgjua rreth orës 21:00 nga alarmi i detektorit të tymit dhe arriti të largohej nga shtëpia së bashku me qenin e saj. Të dy shpëtuan pa lëndime.
Zjarrfikësve iu deshën rreth tre orë për ta vënë zjarrin nën kontroll. Shtëpia u bë e pabanueshme dhe dëmi material u vlerësua në rreth 200 mijë euro.
Për shkak të rrethanave të rastit dhe faktit se një person ndodhej brenda banesës në momentin e zjarrit, autoritetet po e hetojnë ngjarjen edhe nën dyshimin për tentativë vrasjeje.
Pas hetimeve të përbashkëta të policive kriminale të Ludwigsburgut dhe Kielit, të dyshuarit u arrestuan në fillim të shtatorit. Më 3 dhe 4 shtator, ata u paraqitën para gjyqtarit në Gjykatën e Qarkut të Stuttgartit, me kërkesë të Prokurorisë së Stuttgartit.
Gjykata lëshoi urdhër-arreste ndaj të dyve dhe vendosi që ata të mbahen në paraburgim, nën dyshimin për zjarrvënie të rëndë dhe, në rastin e dytë, tentativë vrasjeje.
Hetimet janë ende në vazhdim dhe autoritetet po përpiqen të përcaktojnë rolin konkret të secilit person, si dhe motivin e mundshëm pas dy rasteve.
Të dy shtetasit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me një vendim përfundimtar gjyqësor. /Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Profesoresha shqiptare Shyhrete Rexhaj drejton debatin shkencor mbi vetëvlerësimin dhe kujdesin në fushën e infermierisë në Lozanë Më 8 tetor 2026, në Lozanë, do të mbahet një konferencë kushtuar rëndësisë së vetëvlerësimit, identitetit... -
Deola Sejdiu përfundon me sukses kursin e HarvardX -
27-vjeçari shqiptar ndalohet në aeroportin e Memmingenit me dokumente të falsifikuara -
Nis mësimi plotësues në gjuhën shqipe në Bietigheim-Bissingen -
Hamburg
Elbenita Kajtazi vlerësohet në skenën e Staatsoper Hamburg
Jeta në Austri
-
Austri
Lehtësohet konvertimi i patentave të Kosovës në Austri Ndryshojnë rregullat për patentat e Kosovës në Austri... -
Formacionet e Austrisë dhe Kosovës për ndeshjen e sotme -
Trajneri i Austrisë: “Na pret një ndeshje e vështirë ndaj Kosovës” -
Masa të rrepta sigurie për ndeshjen Austri–Kosovë në Vjenë -
DHL i rrit çmimet në Austri me 5,4 për qind











