Jeta në Zvicër

Çmimi i benzinës në Zvicër arrin nivelin më të lartë të vitit

Çmimet e karburanteve në Zvicër kanë vazhduar të rriten, me benzinën dhe naftën që kanë arritur nivelet më të larta të këtij viti.

Sipas të dhënave më të fundit të Touring Club Switzerland (TCS), një litër benzinë pa plumb 95 kushton mesatarisht 2.10 franga, pesë cent më shumë se vetëm një javë më parë. Benzina 98 ka arritur në 2.21 franga, ndërsa nafta kushton mesatarisht 2.38 franga për litër, përcjell albinfo.ch.

Që nga fillimi i vitit, çmimi i benzinës është rritur me rreth 27 për qind, ndërsa ai i naftës me rreth 33 për qind. Me këtë rritje, çmimet po afrohen me nivelet rekord të regjistruara në vitin 2022.

Në atë periudhë, benzina 95 kishte arritur deri në 2.31 franga për litër, ndërsa nafta në 2.40 franga. Kjo do të thotë se çmimi aktual i naftës është vetëm dy cent më i ulët se rekordi i atëhershëm.

Sipas TCS-së, çmimet e karburanteve në Zvicër ndikohen kryesisht nga çmimet e produkteve në bursën e Roterdamit, kursi i dollarit amerikan dhe kostot e transportit në lumin Ren. Ekspertët përmendin gjithashtu reduktimin e kapaciteteve të rafinimit si një faktor që po ushtron presion mbi çmimet.