Zvicër

Një fshat pa makina në zemër të Alpeve zvicerane

Në zemër të Alpeve zvicerane ndodhet Mürren, një fshat malor ku makinat private nuk qarkullojnë dhe ku banorët e vizitorët mbështeten kryesisht në transportin publik malor dhe ecjen.

Mürren ndodhet në Oberlandin e Bernës, mbi luginën e Lauterbrunnenit, në rreth 1,650 metra lartësi mbidetare. Fshati ka 432 banorë, sipas të dhënave të publikuara nga organizata lokale e turizmit, dhe është një nga vendbanimet pa makina të rajonit Jungfrau.

Në Mürren nuk mund të mbërrish me veturë. Vizitorët mund të shkojnë atje përmes teleferikut nga Stechelberg ose përmes lidhjes Lauterbrunnen, Grütschalp dhe Mürren. Ata që udhëtojnë me vetura duhet t’i lënë ato në parkingjet në Lauterbrunnen ose Stechelberg dhe më pas të vazhdojnë me transportin malor, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, të qenit “pa makina” nuk do të thotë se në fshat nuk mund të shihet asnjë automjet. Autoritetet lokale mund të japin leje të veçanta për automjete që përdoren nga bujqit, bizneset, mjekët, shërbimet pyjore ose policia. Për banorët, lidhjet e transportit publik me luginën funksionojnë rregullisht gjatë gjithë ditës.

Përveç qetësisë që sjell mungesa e trafikut të zakonshëm, Mürren njihet për pamjet drejt majave Eiger, Mönch dhe Jungfrau. Fshati ndodhet në këmbët e Schilthornit dhe është një destinacion i njohur për ecje malore gjatë verës dhe sporte dimërore gjatë sezonit të borës.

Mürren ka edhe një lidhje të veçantë me kinematografinë. Në këtë zonë është xhiruar filmi i James Bond “On Her Majesty’s Secret Service” i vitit 1969, ndërsa Schilthorn dhe Piz Gloria vazhdojnë të jenë ndër atraksionet më të njohura të rajonit.